Një shkëndijë elektrike e shoqëruar me flakë u regjistrua këtë të martë pranë godinës së Postës, në zonën e Qafës së Pazarit në Gjirokastër. Sipas informacioneve paraprake, shkëndija ra në një tabelë reklamuese dhe shkaktoi zjarr në pjesën e jashtme të objektit pranë Postës Shqiptare.
Forcat e shërbimit zjarrfikës ndërhynë menjëherë në vendngjarje për të vënë situatën nën kontroll. Për arsye sigurie, energjia elektrike u stakuar në të gjithë qytetin deri kur situata u stabilizua dhe u eliminua rreziku. Aktualisht po punohet për shuarjen e plotë të flakëve dhe për rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Në një njoftim zyrtar nga Salla Operative e Policisë së Shtetit, në orën 09:45 u bë me dije se në Pazarin e Gjirokastrës, pranë Postës Shqiptare, te tabelat e reklamave, kishte rënë zjarr në fasadën e godinës së postës. Si pasojë e zjarrit rrezikoheshin godina e Postës Shqiptare dhe banesat që ndodhen në të njëjtin objekt. Raportohet se grupi i shërbimit u nis menjëherë drejt vendngjarjes, ku ndërhyri në kohë, duke izoluar dhe shuar plotësisht flakët.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, njoftimi shton se zjarri u vu nën kontroll dhe u eliminua pa shkaktuar dëme të tjera materiale apo pasoja. Autoritetet po vazhdojnë punën për kompletimin e shuarjes së flakëve dhe për rikthimin e furnizimit me energji në qytet. Lajmi është transmetuar nga Top Channel.

