Autoritetet nga 15 vende bashkëpunuan për të shkatërruar një grup kriminal që mashtronte pacientë në Evropë dhe më gjerë me suplemente dhe ilaçe të falsifikuara, aktivitet që dyshohet se gjeneroi të paktën 240 milionë euro në transaksione të paligjshme. Eurojust dhe Europol mbështetën hetimet që nga fillimi, duke mundësuar bashkëpunim efikas midis shteteve. Sipas hetimeve, grupi veproi në mënyrë profesionale dhe hierarkike që nga viti 2019, duke krijuar kompani përmes të cilave shiti produkte të paautorizuara.
Grupi kriminal shiti mbi 400 suplemente me emra të ndryshëm dhe ndërtoi një rrjet shitësish virtualë që krijoi qindra faqe interneti dhe llogari në media sociale. Për të mashtruar viktimat, ata përdornin emrat dhe imazhet e personave të famshëm dhe të mjekëve të rremë, dhe i trajnuan bashkëpunëtorët të krijonin llogari të rreme që të dukeshin legjitime dhe të shmangej zbulimi nga kompanitë e mediave sociale. Kur viktimat plotësonin formularë në faqet e tyre, ato kontaktoheshin nga operatorë të qendrave të thirrjeve që paraqiteshin si mjekë ose specialistë, duke pretenduar se suplemente ishin trajtime të vërteta për sëmundje serioze ose të pashërueshme.
Produktet e shpërndara nuk kishin efekt në trup dhe përmbanin përbërës të ngjashëm, pavarësisht pretendimeve për sëmundje të ndryshme. Hetimi tregoi se si viktimat ndalonin trajtimin e përshkruar nga mjeku i tyre pas përdorimit të këtyre produkteve; kur një produkt grumbullonte shumë ankesa, ai riemërtohej dhe rilancohej. Autoritetet rumune, pas denoncimeve të viktimave, nisën hetimin që zbuloi rrjetin ndërkombëtar që vepronte në të gjithë Evropën.
Grupi përdorte gjithashtu kompani legjitime nga vende të ndryshme evropiane për të drejtuar operacionet, gjë që e bëri të domosdoshëm bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar për mbledhjen e provave dhe dëshmive të dëshmitarëve dhe për ndërmarrjen e veprimeve ndaj anëtarëve dhe qendrave të thirrjeve. Autoritetet paralajmërojnë se barnat e paligjshme financojnë krimin dhe dëmtojnë seriozisht viktimat, dhe këshillojnë qytetarët të blejnë vetëm nga farmacitë online të regjistruara. Agjencia Evropiane e Barnave dhe homologët kombëtarë kanë krijuar një logo për shitësit me pakicë të barnave online të regjistruar pranë autoriteteve rregullatore kombëtare.

