Prej vitesh, në sistemin shqiptar të shëndetësisë funksionon një nga skemat më të sofistikuara dhe të pacenuara të korrupsionit publik. Në qendër të kësaj skeme qëndron një emër: Merita Sheqi. E veshur me kostumin e drejtueses farmaceutike, por e fuqizuar nga lidhje të errëta në kupolën shtetërore, Sheqi dhe i vëllai i saj, Petrit Maho, kanë ndërtuar një perandori me bazë në farmacitë publike, që përfiton nga paratë e taksapaguesve shqiptarë përmes një zinxhiri tenderash të manipuluar dhe kontratash të dyshimta.
Nëpërmjet kompanive “Rejsi Farma” dhe “Intermed”, dyshja ka fituar mbi 750 tendera publikë në sektorin shëndetësor vetëm gjatë viteve të fundit. Shumica e këtyre tenderave janë marrë pa konkurrentë, me çmime të fryra, dhe në shumë raste për furnizime me ilaçe të dyshimta ose të skaduara që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e pacientëve.
Një rrjet kompanish për të kapur shtetin
Lista e bizneseve nën kontrollin e Merita Sheqit është e gjatë. Përveç “Rejsi Farma” dhe “Intermed”, figurojnë gjithashtu edhe “Noval”, “Beata”, “Vetal” dhe “Noval Laboratory”. Të gjitha këto kompani janë pjesë e një rrjeti të organizuar që dominojnë tregun farmaceutik publik në Shqipëri.
Kjo skemë korruptive funksionon në mënyrë perfekte: firma merr pjesë e vetme në tender, paraqet një ofertë gati identike me fondin limit, dhe fiton pa garë. Kështu ndodhi edhe më 13 mars 2025, kur “Rejsi Farma” fitoi tenderin për barnat e Onkologjikut me një ofertë 610 milionë lekë, e barabartë me 99% të vlerës maksimale të përcaktuar nga QSUT. Kontrata u firmos pa asnjë vonesë, në një proces pa asnjë transparencë për publikun apo median.
Kur oferta është farsë dhe fituesi i paracaktuar
Në Shqipëri, tenderët nuk janë garë. Janë teatër. Dhe Merita Sheqi është regjisorja. Në tenderat ku futet “Rejsi Farma”, askush tjetër nuk merr pjesë, sepse fituesi është vendosur që në nisje. Prokurimi i fundit për barnat e Onkologjikut është dëshmia më e qartë se si ky klan familjar e ka kapur shëndetësinë për fyti.
Bëhet fjalë për tenderin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për blerjen e ilaçit “Daratumumab 400 mg”. Në këtë procedurë mori pjesë vetëm Rejsi Farma, e cila bëri ofertë sa 99% e fondit limit – 610,448,000 lekë pa TVSH. Brenda disa ditësh, pa asnjë vonesë, kontrata u firmos më 2 prill 2025. Dhe çfarë parashikon kontrata? Vetëm 15% e furnizimit do të kryhet menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet për dy vjet.
Një tjetër truk burokratik i përdorur për të fshehur mungesat reale të barnave dhe për të garantuar pagesa të majme pa përgjegjësi.
Skandal pas skandali: ilaçet e skaduara dhe pacientët që presin mëshirë
Nëse kjo nuk mjafton për të tronditur, vjen një tjetër e dhënë që duhet të ngrinte alarm kombëtar: Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se në 21 dhjetor 2022, në depot e “Rejsi Farma” janë gjetur mbi 12 mijë copë barna të skaduara, me vlerë mbi 400 mijë euro.
Këto barna të skaduara nuk kishin as dokumentacion për asgjësim, as proces-verbal, dhe as miratimin e Agjencisë Kombëtare të Barnave. Kjo nënkupton një gjë: ka dyshime të forta se ato janë hedhur sërish në qarkullim, përmes skemave të rimbursimit. Dhe gjithë kjo me miratimin e heshtur të institucioneve përgjegjëse.
Më keq akoma, grupi i kontrollit që vizitoi depot e Rejsi Farma nuk mbajti as evidenca fotografike, nuk e ndau fizikisht medikamentin e skaduar nga pjesa tjetër, duke krijuar kushtet perfekte për një fshehje masive. Në këtë grup kontrolli figurojnë zyrtarët Shpend Stajku, Enida Hoxhaj, Evarist Jaku, Bledar Gallushi dhe Dorjan Hysi, të cilët dokumentuan vetëm ato barna që zgjedhën vetë – saktësisht 55 prej 146 që ishin pjesë e kontratës së Rejsi Farma me FSDKSH.
Në listën e depove farmaceutikë të mbushura me ilaçe të skaduara, të cilat mund të hidhen në treg dhe të përfshihen në skemën e rimbursimit, është edhe Rejsi Farma (J91419001U). Gjatë kontrollit që ka kryer FSDKSH, në 21 dhjetor 2022, në depon importuese farmaceutike Rejsi Farma janë konstatuar 18 medikamente të skaduara, në sasinë 12 mijë copë, me vlerë mbi 400 mijë euro.

Fatura për qytetarët: shëndet i rrezikuar dhe para të humbura
E gjithë kjo histori, e lidhur me tenderin për ilaçin e kancerit, nuk është thjesht skemë financiare. Është kërcënim për jetën e pacientëve onkologjikë që varen nga këto barna. Sepse për Merita Sheqin dhe strukturat që ajo ka ngritur, pacientët nuk janë qytetarë me të drejta, por numra në një skemë fitimi.
Ish-drejtoresha e QSUT, Alma Cani, firmosi këtë kontratë problematike vetëm pak javë para se të zëvendësohej nga Donjeta Bali. Një tjetër lëvizje e dyshimtë në një sistem të mbushur me emërime klienteliste që mbulojnë gjurmët e korrupsionit.
Portali Open Data Albania ka shënuar këtë tender me “flamur të kuq” – sinjalin më të lartë të riskut për korrupsion dhe mungesë gare reale. Por edhe ky sinjal kaloi pa pasoja.
Tenderi është shënuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.

Kur shteti mbyll sytë, krimi institucionalizohet
Në një vend normal, një kompani që kapet me barna të skaduara do të përjashtohej menjëherë nga çdo prokurim publik. Në Shqipëri, Merita Sheqi vazhdon të fitojë tender pas tenderi, duke marrë pjesën e luanit nga buxheti i shëndetësisë, ndërkohë që pacientët luftojnë për jetën me barna të dyshimta.
Rejsi Farma nuk është thjesht një kompani. Është simbol i asaj që ndodh kur shteti dorëzohet përballë interesit privat dhe korrupsionit të organizuar familjar.
Deri më sot, asnjë organ nuk ka nisur hetim penal, asnjë drejtues nuk është ndëshkuar, dhe asnjë institucion nuk ka kërkuar ndalimin e kësaj kompanie. Sepse në Shqipëri, krimi nuk fshihet më – thjesht tenderohet.
Pak ditë para largimit, drejtoresha e atëhershme e QSUT, Alma Cani, shpërndau tendera me vlera marramendëse, si ai i 36 milionë lekëve për barna të anuluara apo ai i 400 milionë lekëve për barna për 24 muaj. “Rejsi Farma” dhe kompanitë mike si “Fufarma” e Isuf Berberit apo “PEGASUS” e Janis Karathanos, ishin pjesë e “tortës”. Ishte një festë e fundit korrupsioni para dorëzimit të postit te Donjeta Bali.
Kështu Rejsi Farma është sërish pjesë e tortës së tenderit 400 milionë lekësh për blerje ilaçesh, një procedurë që më parë ishte anuluar.

Përshkrimi i shkurtër i kontratës është “Blerje barna te anuluara për mbulimin e nevojave 24 mujore”, me fond limit 36,835,425.13 leke pa TVSH.

Këtë kontratë kanë lote edhe Fufarma dhe “PEGASUS.” e Janis Karathanos.
Në këtë valë tenderash, është qerasur edhe Ermal Rizaj, pronari i “O.E.S DISTRIMED” Sh.p.k. Ky ka marrë tenderin 174,998,980 leke pa TVSH ku ka pasur mungesë totale konkurrence. Tenderi kishte objekt “Blerje materiale mjekësore specifike për QSUNT për 24 muaj”.
Merita Sheqi, e preferuara e çdo ministre
Emri i Merita Sheqit del vazhdimisht në tenderat më të dyshimtë. Në 10 shkurt 2025, me autorizim të ministres Albana Koçiu, ajo fitoi 5.7 milionë euro në një tjetër tender me vetëm një operator. Kjo është skemë e pastër klientelizmi: barnat që mund të bliheshin me 30% më lirë, i jepen një kompanie të vetme, në emër të një marrëveshjeje kuadër. Edhe ky tender është shënuar me flamur të kuq nga Open Data Albania për rrezik të lartë korrupsioni.
Merita Sheqi merr pjesën e luanit. Në 10 shkurt 2025, komisioni i tenderit i autorizuar nga ministrja Albana Koçiu ka dhënë 5.7 milionë euro në një procedurë me një pjesëmarrës, për barba që mund të blihen me çmime 30% më të lira.
Kështu është vepruar në tenderin me objekt “L ot5 Ixazomib B4- Blerje barna të reja për nevojat e spitaleve”, ndarë në 15 lote – Marrëveshje Kuadër me disa operatorë ekonomik (një OE të vetëm të suksesshëm për sejcilin lot)- ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 24 muaj” me fond limit/vlera e pritshme e kontratave në total prej 919,695,241 Lekë pa TVSH. AK/Spitali, QSUT, QSR “Shefqet Ndroqi”, SUT”.
Në lojë ishin 563 536 612,00 lekë që ishin paracaktuar për kompaninë “Rejsi Farma” shpk. Edhe ky tender është vlerësuar me flamur korrupsioni.

Skema, rrjeti dhe heshtja shtetërore
Në qendër të kësaj afere gjigante qëndron heshtja e shtetit: asnjë hetim serioz, asnjë përgjegjësi penale, asnjë ndalim për tenderat. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërtetuar se procedurat e heqjes nga qarkullimi të barnave të skaduara nuk janë respektuar, duke lënë hapësirë për manipulime financiare dhe rrezik për jetën e pacientëve. Dokumentet zyrtare janë mbajtur me shkrim dore, pa fotografi apo evidenca, në shkelje të plotë të ligjit.
Në fund, pyetja mbetet: A do të veprojë SPAK? Apo “Rejsi Farma” dhe klani Sheqi–Maho do të vazhdojnë të kontrollojnë me një dorë të padukshme tenderat, barnat, dhe vetë shëndetin e shqiptarëve?