Ne orët e para të mëngjesit në Ksamil një turist portugez, 20 vjeç, u vra me thikë. Viktima është identifikuar si Luis Miguel Varela Mendes. Grupi hetimor ka marrë në pyetje shokët e tij, të cilët kanë dhënë dëshmi mbi mënyrën se si nisi konflikti dhe momentet që i paraprinë goditjes fatale.
Sipas dëshmive të shokëve, konflikti dyshohet të ketë nisur brenda ambienteve të lokalit pas ngacmimit të një vajze. Situata u përshkallëzua dhe në sherr u përfshinë disa persona, ndërsa punonjësit e sigurimit ndërhynë për të qetësuar situatën. Shokët e viktimës deklaruan se Varela u fut ndërmjet personave të përfshirë në konflikt me qëllim që ta ndante dhe të qetësonte situatën. Në atë moment ai u godit me thikë; pavarësisht ndërhyrjes, plagët rezultuan fatale.
Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe dy shtetas turq, një vajzë dhe një djalë, të cilët u kapën së bashku me 29-vjeçarin Sokrat Vata teksa dyshohet se po tentonin ta largonin nga vendi i ngjarjes. Në prani të përkthyesve ata kanë dhënë versionin e tyre lidhur me marrëdhënien me Vatën dhe çfarë ndodhi pas konfliktit.
Në dëshminë e tyre para hetuesve, dy shtetasit turq kanë thënë se ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes” dhe kishin krijuar një marrëdhënie shoqërore me 29-vjeçarin. Ata kanë shtuar se e paguanin Vatën për shërbime sigurie, si bodigard dhe shoqërues personal. Para hetuesve, këta persona kanë mohuar çdo përfshirje në aktin kriminal dhe kanë shpjeguar se e morën Vatën me automjet vetëm për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin me të, duke mohuar që qëllimi i tyre të ketë qenë largimi i tij për shkak të ngjarjes.
Hetimet vijojnë me mbledhjen e provave dhe verifikimin e dëshmive të marra nga shokët e viktimës dhe personat e tjerë të përfshirë, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat që çuan në vrasjen e 20-vjeçarit.

