Mijëra përdorues në mbarë botën përjetuan probleme me shërbimet e Microsoft pas një ndërprerjeje që preku Outlook, Microsoft 365 dhe Teams. Problemet zgjatën për më shumë se një orë dhe u raportuan në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Italinë. Sipas faqes së monitorimit Downdetector, rreth orës 18:00, sipas orës lokale italiane, në SHBA ishin regjistruar mbi 130 mijë raportime për probleme me Outlook. Downdetector regjistroi gjithashtu mbi 46 mijë ankesa për Microsoft 365 dhe rreth 3 mijë raportime për përdorues që nuk arrinin të përdornin Teams. Numri i përdoruesve të prekur mund të jetë edhe më i madh, pasi raportimet vazhdonin të shtoheshin.
Microsoft konfirmoi se kishte marrë raportime për vështirësi në aksesimin e postës elektronike përmes Exchange Online. Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, kompania njoftoi se po shqyrtonte raportimet e përdoruesve që hasin probleme në aksesimin e kutive të tyre postare në Exchange Online, përmes mënyrave të ndryshme të lidhjes, në kontinentin amerikan. Microsoft bëri të ditur se kishte nisur verifikimet për të identifikuar shkakun e ndërprerjes, por deri në momentin e raportimit nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën teknike të problemeve.
Më herët gjatë incidentit, Microsoft kishte njoftuar se kishte zgjidhur një ndërprerje të shërbimit Teams që kishte prekur përdoruesit në Amerikën e Veriut. Kompania kishte deklaruar se problemi ishte kapërcyer plotësisht, por më pas paralajmëroi se ndërprerja mund të kishte ndikuar edhe në lidhjen me shërbimet e Microsoft 365 në rajone të tjera. Sipas raportimit të NBC Chicago, Microsoft kishte konfirmuar gjithashtu raportimet për vështirësi në aksesimin e postës Exchange Online përmes metodave të ndryshme të lidhjes në kontinentin amerikan.
Derisa verifikimet vazhduan, Microsoft nuk publikoi shkakun teknik të ndërprerjes, as numrin e saktë të përdoruesve të prekur. Raportimet e përdoruesve dhe paralajmërimet e kompanisë reflektojnë se ndërprerja ndikoi shërbime të ndryshme të paketës së Microsoft, me impakt të raportuar kryesisht në Amerikën e Veriut dhe sinjale për problematika në rajone të tjera.

