Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj dhe referimin e çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas një incidenti të ndodhur ditën e sotme, kur, si pretendon PS, kreu i Partisë Mundësia rrëmbeu nga zyrat e Kuvendit dokumentin konfidencial të ligjit për huanë nga SHBA. Në një kërkesë zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, socialistët kërkojnë që ndaj Shehajt të aplikohet masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 60 ditë.
Sipas shkresës së depozituar, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huas direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak, deputetët u informuan se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pas nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit. PS pretendon se Agron Shehaj, pasi hyri në sallën ku mbahej dokumenti, kërkoi ta merrte kopjen fizike me vete, por u kundërshtua nga stafi i Kuvendit.
Në kërkesë thuhet se deputeti “e ka marrë me forcë materialin dhe është larguar bashkë me të”, ndërsa një këshilltare e Kuvendit, e cila sipas dokumentit e ka ndjekur për ta rimarrë, është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar dëmtime. Socialistët theksojnë se sjelljet e përsëritura, të dhunshme dhe agresive të deputetit kanë vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjetur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje, të cilën e konsiderojnë të papranueshme.
Përveç masës disiplinore, PS kërkon që rasti t’i referohet SPAK-ut për hetim, duke pretenduar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve, pengimin e detyrës së funksionarit publik dhe shkelje të dispozitave për mbrojtjen e sekretit shtetëror. (Top Channel)

