Ushtria amerikane shkatërron një anije që, sipas saj, përdorej nga trafikantët e drogës për furnizim me karburant në Paqësorin lindor. Ndryshe nga operacionet e mëparshme, personat që ndodheshin në bord u larguan pa përdorur forcë vdekjeprurëse dhe, pas largimit, iu dorëzuan autoriteteve ekuadoriane. Komanda e Përbashkët e SHBA-së për Amerikën Latine dhe Karaibet (SOUTHCOM) bëri të ditur se anija ndodhej në ujëra ndërkombëtare dhe se përdorej nga banda Los Choneros, një nga grupet kriminale më të fuqishme në Ekuador. SOUTHCOM tha se operacioni u planifikua dhe u realizua në koordinim me qeverinë e Ekuadorit.
Autoritetet amerikane publikuan një videoklip rreth 20 sekondash që tregon momentin kur një shpërthim i fuqishëm shkatërron anijen. Sipas ushtrisë amerikane, synimi i operacionit ishte të ndërpritej “një qendër kritike furnizimi për trafikantët e drogës”. Rasti konsiderohet i pari i njohur që nga nisja e fushatës në shtator 2025 në të cilën, sipas raportimeve, ushtria amerikane shkatërron një anije të dyshuar për trafik droge pa bombarduar personat në bord dhe pa shkaktuar viktima mes tyre.
Që nga shtatori i vitit 2025, operacionet amerikane kundër anijeve në Detin e Karaibeve dhe në Paqësorin lindor, të dyshuara për transport droge, kanë shkaktuar më shumë se 200 viktima. SOUTHCOM i ka cilësuar personat e vrarë si “narko-terroristë”, ndërsa Uashingtoni thotë se fushata synon të ndalojë trafikimin e drogës drejt tregut amerikan përmes rrugëve detare. Megjithatë, administrata e presidentit Donald Trump nuk ka paraqitur publikisht prova që të vërtetojnë se anijet e goditura në këto operacione ishin të përfshira në trafik droge apo në aktivitete të tjera të paligjshme.
Operacionet amerikane janë kritikuar nga organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch dhe Amnesty International, si dhe nga ekspertë të pavarur të Kombeve të Bashkuara. Këta aktorë argumentojnë se sulmet shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe kanë denoncuar përdorimin e forcës vdekjeprurëse si ekzekutime jashtëgjyqësore.

