Shtetet e Bashkuara njoftuan se ambasada e tyre në Kiev do të qëndrojë e hapur, duke hedhur poshtë raportimet se operacionet diplomatike në kryeqytetin ukrainas janë ndryshuar. Në një deklaratë të publikuar në platformën X, ambasada tha se “nuk ka pasur asnjë ndryshim në operacionet tona” dhe se Departamenti i Shtetit rishikon rregullisht masat e sigurisë, me prioritet sigurinë e qytetarëve amerikanë. Paralajmërimi i Moskës u dha fillimisht nga Ministria e Jashtme ruse, e cila i bëri thirrje diplomatëve dhe shtetasve të huaj të largohen “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke pretenduar se Kievi përballet me një rrezik të lartë sulmesh.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kishte paralajmëruar personalisht se Kievi “do të bëhet një vend shumë i rrezikshëm”. Rubio shtoi se personeli diplomatik amerikan është informuar për nivelin e shtuar të kërcënimit, pa konfirmuar një evakuim të ambasadës. Ndërkohë, sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu, theksoi se paralajmërimi i Moskës është “shumë serioz”.
Disa vende të Bashkimit Europian vendosën në të njëjtën linjë me Uashingtonin, duke refuzuar të tërheqin stafet diplomatike nga Kievi. Ambasadorja e BE-së në Ukrainë deklaroi se “Bashkimi Evropian nuk do të largohet që këtej” dhe se përfaqësuesit europianë do të vijojnë të qëndrojnë në kryeqytet. Po ashtu, Bashkimi Europian thirri në Bruksel të ngarkuarën me punë të Rusisë, duke i kërkuar Moskës të ndalojë sulmet ndaj civilëve dhe të angazhohet në bisedime reale për paqe, duke nisur me një armëpushim të plotë dhe pa kushte.
Tensionet janë rritur pas sulmeve të fundit ruse ndaj Kievit. Sipas autoriteteve ukrainase, fundjavën e kaluar Rusia lëshoi më shumë se 80 raketa drejt kryeqytetit, ku humbën jetën të paktën dy persona dhe 87 të tjerë mbetën të plagosur.

