Për herë të parë pas tre vjetësh, Rezerva Federale e SHBA-së vendosi të rrisë normën bazë të interesit në 3.75–4%, një vendim i marrë unanimisht pavarësisht presionit të vazhdueshëm të presidentit Donald Trump për të vepruar ndryshe. Kevin Warsh, kreu i Rezervës Federale, theksoi se inflacioni në SHBA ka qenë mbi objektivin prej 2% për më shumë se pesë vjet dhe për këtë arsye rritja ishte e nevojshme. “Ky vendim ishte i nevojshëm, për faktin e thjeshtë se inflacioni mbetet shumë i lartë, dhe kjo ka zgjatur për një periudhë të gjatë,” u citua Warsh.
Rritja e normave të interesit ndikojnë në koston e kredive për individët dhe bizneset: kreditë, hipotekat dhe kartat e kreditit bëhen më të shtrenjta, ndërsa për kursimet mund të sjellin kthime më të larta. Si pasojë e ndryshimeve në tregun financiar, disa banka të mëdha amerikane, përfshirë JPMorgan, KeyCorp dhe BNY, rritën gjithashtu normën bazë të kreditimit në 7% nga 6.75%.
Warsh vuri në dukje kufizimet e politikës monetare, duke thënë se Rezerva Federale nuk mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e naftës apo ushqimeve, por mund të ndihmojë në frenimin e përhapjes së rritjes së çmimeve në pjesë të tjera të ekonomisë. Pas vendimit të Rezervës Federale, presidenti Trump shfaqi mbështetje për Warsh, por kritikoi anëtarët e bordit të bankës qendrore, duke i cilësuar si “armiqësor” dhe “politik”.
Ndërhyrja me norma më të larta synon ngadalësimin e inflacionit përmes zvogëlimit të shpenzimeve dhe nxitjes së kursimeve, por ka efektin e menjëhershëm të rritjes së kostove të huamarrjes për konsumatorët e familjet që kanë kredi apo hipotekë. Vendimi i Rezervës Federale dhe reagimet pas tij pasqyrojnë tensionet midis nevojës për të kontrolluar inflacionin dhe ndikimit të drejtpërdrejtë që politika monetare ka mbi kushtet financiare të konsumatorëve dhe institucionet bankare.

