Asnjë tifoz nga Bregu i Fildishtë nuk do të udhëtojë për të mbështetur kombëtaren e tij në Kupën e Botës për shkak të problemeve me vizat dhe kufizimeve të udhëtimit në Shtetet e Bashkuara. Lajmin e konfirmoi Julien Kouadio Adonis, president i Komitetit Kombëtar të Mbështetësve të “Elefantëve”, i cili tha se tifozët janë detyruar të heqin dorë nga udhëtimi pasi autoritetet amerikane nuk kanë lehtësuar hyrjen e tyre në vend.
Adonis përshkroi situatën si të dhimbshme, duke theksuar se kjo pengon misionin kryesor të organizatës: mbështetjen e ekipit kombëtar. “Do të kishim dashur të përfaqësonim edhe kulturën tonë në tribuna,” u shpreh ai, duke nënvizuar keqardhjen për mos-praninë masive të tifozërisë në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Organizata e tifozëve kishte planifikuar të dërgonte rreth 500 mbështetës në Shtetet e Bashkuara, siç kishte vepruar në pjesëmarrjet e mëparshme të Bregut të Fildishtë në Kupat e Botës të viteve 2006, 2010 dhe 2014, si dhe në Kupën e Kombeve të Afrikës. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit dhe vështirësive për marrjen e vizave, plani u anulua dhe rrugëtimi masiv i tifozëve u detyrua të ndërpritet.
Në stadiume do të jenë të pranishëm vetëm disa zyrtarë të autorizuar, përgjegjës për koordinimin e mbështetjes së komunitetit të tifozëve nga Bregu i Fildishtë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Kjo zgjidhje synon të mbajë një formë të organizuar të mbështetjes, megjithëse nuk zëvendëson praninë e madhe të tifozërisë së planifikuar.
Vendimi ka shkaktuar zhgënjim te tifozët afrikanë, të cilët përmenden se do të mungojnë për herë të parë në një aktivitet kaq të rëndësishëm ndërkombëtar në këtë përbërje dhe me këtë intensitet. Artikullin e raportoi Top Channel.

