Një monedhë përkujtimore prej një dollari me portretin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka dalë në shitje si pjesë e përgatitjeve për 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara. Sipas AFP-së, monedhat mund të blihen në pako prej 25 ose 100 copësh, me çmimet përkatëse 61 dhe 154 dollarë. Në njërën anë të monedhës paraqitet një shqiponjë, simboli i SHBA-së, ndërsa në anën tjetër ndodhet portreti i Trumpit, i cili ngjason me portretin e tij zyrtar të frymëzuar nga një fotografi e bërë nga policia gjatë hetimeve në Gjeorgji për akuzat lidhur me ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Monedha u miratua në mesin e marsit nga Komisioni i Arteve të Bukura, anëtarët e të cilit janë emëruar nga Trump. Në atë kohë zyrtari i Thesarit amerikan, Brandon Rich, deklaroi: “Ndërsa i afrohemi 250-vjetorit, ne po projektojmë monedha që simbolizojnë frymën e vendit tonë dhe demokracinë tonë”. Ai shtoi: “Nuk ka portret më ikonik për këto monedha sesa ai i Presidentit Donald Trump”.
Vendimi ka shkaktuar debate. Në fund të shkurtit, Komiteti Këshillimor i Qytetarëve për Monedhat (CCAC), një organ tjetër këshillues për emetimin e monedhave, refuzoi të shqyrtojë një propozim për prerjen e një monedhe me imazhin e Trumpit. Donald Scarinci, një nga anëtarët e CCAC, argumentoi se që nga Deklarata e Pavarësisë në vitin 1776, SHBA-ja nuk ka prerë monedha me imazhin e një udhëheqësi të zgjedhur në mënyrë demokratike gjatë kohës që ai është në detyrë, dhe komentoi: “Vetëm kombet e sunduara nga mbretër ose diktatorë vendosin imazhin e udhëheqësve të tyre në monedhat e tyre”.
Institucione zyrtare si United States Mint promovuan monedhat; në një postim në rrjetet sociale u njoftua se ato ishin të disponueshme për blerje dhe se mund të gjenden gjithashtu në qarkullim. Megjithatë, monedha me portretin e Trumpit tashmë është hedhur në qarkullim si pjesë e festimeve për 250-vjetorin e SHBA-së, duke e kthyer atë në një objekt të veçantë për koleksionistët.

