SHBA-të presin që Hamasi të nisë së shpejti procesin e çarmatosjes në Gaza, ndërsa Uashingtoni është i gatshëm të mbështesë veprime të mëtejshme ushtarake të Izraelit nëse grupi palestinez nuk përmbush angazhimet e tij. I dërguari special i SHBA-së, Jared Kushner, tha në një intervistë për Fox News pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se Hamasi ka 60 deri në 90 ditë për të treguar se është i gatshëm të çarmatoset. “Nëse Hamasi i dorëzon armët në tunele me dëshirë gjatë 60 deri në 90 ditëve të ardhshme, kjo do të ishte eliminimi i një kërcënimi të madh sigurie për Izraelin,” tha Kushner.
Ai paralajmëroi se nëse Hamasi nuk e zbaton angazhimin për çarmatosje, Izraeli do të ketë mbështetje më të madhe nga SHBA-ja dhe vende të tjera për të ndërmarrë veprime të mëtejshme. “Nëse nuk e zbatojnë tani angazhimin e tyre, të gjithë do të shohin se nuk janë të sinqertë për paqen dhe se Izraeli do të ketë shumë më tepër mbështetje nga SHBA-të dhe të tjerët për ta përfunduar punën në mënyrën e duhur,” tha ai.
Kushner tha se përfaqësuesit e Hamasit gjatë takimit të së dielës “thanë të gjitha gjërat e duhura”, por shtoi se SHBA-të kanë vështirësi t’u besojnë për shkak të së kaluarës së organizatës. Sipas tij, tani Hamasit do t’i jepet mundësia të tregojë me veprime nëse është serioz për procesin e paqes.
Kushner zhvilloi gjithashtu një takim rreth katërorësh me Benjamin Netanyahun, të cilin e përshkroi si “shumë, shumë të mirë”. Ai tha se gjatë takimit u diskutuan shqetësimet e kryeministrit izraelit, përfshirë të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur dhe procesin e rindërtimit të Gazës.
Sipas Kushner, hapat e parë mund të ndërmerren brenda 30 ditësh, me synimin për të filluar nxjerrjen e armëve nga tunelet dhe më pas trajtimin e rrjetit të tuneleve gjatë 60–90 ditëve të ardhshme.

