Numri i skuadrave pjesëmarrëse në Kupën e Botës vazhdon të jetë temë polemike. Pas deklaratave të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, që ironizoi kombëtaren italiane, në qendër të debatit u vu edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Gjatë një eventi në Ljubljanë përpara fillimit të Botërorit, Ceferin e përshkroi si një gabim zgjerimin e turneut në 48 skuadra, duke argumentuar se kjo sjell ndeshje të pabarabarta dhe pa interes. Ai pranoi se përfitimi pozitiv është se edhe vendet më të vogla mund të përjetojnë energjinë e eventit, por ky pozicion nxiti reagimin e 14 kombëtareve që do të marrin pjesë në Botërorin 2026.
Kepi i Gjelbër, Curaçao, Uzbekistani, Republika Demokratike e Kongos, Haiti, Algjeria, Tunizia, Maroku, Egjipti, Gana, Senegali, Bregu i Fildishtë dhe Afrika e Jugut i dërguan një letër të përbashkët, duke shprehur “zhgënjim të thellë” ndaj deklaratave të Ceferin. Në komunikatën e tyre nisën me fjalët: “Kundërshtojmë me respekt, por me vendosmëri këto pohime. Për vendet tona nuk ka asnjë Kupë Bote që nuk është e rëndësishme.”
Sipas komunikatës, të sugjerosh se disa ndeshje janë “më pak të rëndësishme” do të ishte të injorosh përpjekjet, sakrificat dhe aspiratat e lojtarëve, trajnerëve, klubeve, drejtuesve dhe tifozëve në mbarë botën. Aty theksohet se pas çdo kualifikimi qëndrojnë vite pune dhe investime, si dhe komunitete të tëra për të cilat futbolli përfaqëson krenari, shpresë dhe unitet.
Letra thekson gjithashtu se Botërori është më shumë se një ngjarje sportive: “Futbolli nuk i përket një grupi të ngushtë vendesh,” thuhet në komunikatë, ndërsa fuqia e tij buron nga universaliteti. Kupa e Botës bashkon kultura, histori dhe rrugëtime futbollistike të ndryshme; për shumë vende pjesëmarrja nuk është vetëm një arritje sportive, por një moment që frymëzon breza, nxit zhvillimin e futbollit dhe krijon kujtime të përjetshme.
Në përfundim, vendet nënvizuan se çdo skuadër që kualifikohet “meriton respekt” dhe se “çdo ndeshje ka domethënie për miliona persona.” Ato refuzuan deklaratat e presidentit të UEFA-s dhe konfirmuan bindjen se rritja e futbollit duhet të vazhdojë, të krijojë mundësi, të frymëzojë brezat e rinj dhe të forcojë natyrën globale të sportit.

