Tensionet politike mes Kroacisë dhe Serbisë janë përshkallëzuar pas deklaratave të zyrtarëve kroatë mbi forcimin e shpejtë të kapaciteteve ushtarake të Serbisë. Zagrebi kërkon që partnerët perëndimorë të informohen dhe të ushtrojnë presion politik ndaj Beogradit, ndërsa kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokovic, dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushic, shprehën shqetësim për modernizimin ushtarak të Serbisë dhe kërkuan që kjo çështje t’u përcillet aleatëve të Kroacisë.
Gjatë konferencës vjetore në Zagreb, ku morën pjesë ambasadorë, konsuj dhe atashe ushtarakë kroatë, Jandrokovic deklaroi se Serbia “po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive, sulmuese”, dhe theksoi se këtë duhet t’ua thonë aleatëve perëndimorë. Ai gjithashtu vuri në dukje se një pjesë e elitave të reja politike në vendet perëndimore nuk njohin mjaftueshëm historinë e ish-Jugosllavisë, politikën e Sllobodan Milloshevicit dhe rreziqet që mund të krijohen nga zhvillimet aktuale në Ballkan, dhe kërkoi që diplomacia kroate të jetë më aktive në informimin e partnerëve ndërkombëtarë për situatën e sigurisë në rajon.
Shqetësimet në Zagreb janë rritur pas modernizimit të shpejtë të ushtrisë serbe gjatë viteve të fundit. Një marrëveshje që ka tërhequr vëmendje ishte vendimi i Francës për të shitur Serbisë 12 avionë luftarakë Rafale, si shembull të proceseve të modernizimit që shqetësojnë autoritetet kroate.
Deklaratat nga Zagrebi shkaktuan reagimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçic. Sipas mediave kroate, Vuçic i është përgjigjur Jandrokovicit me ironi, duke thënë se ka kaluar koha kur, sipas tij, “njerëzit dëboheshin me ambasadorë mbi tanke”.

