Në albumin e saj të ri “Confessions on a Dance Floor Part II” Madonna bën referenca kritike për ish-bashkëshortin Sean Penn, por sipas një miku të afërt, aktori fitues i Oscar-it mbetet ende njeriu që ajo ka dashur më shumë. Page Six raporton se disa këngë përmbajnë gjithashtu aludime për vëllain e ndjerë të artistes dhe për njerkën e saj. Në një nga këngët, Madonna përmend “ndjesinë e kërcënimit” që përjetoi gjatë marrëdhënies me Pennin.
Albumi përfshin një duet shumë personal me vajzën e saj 29-vjeçare, Lourdes Leon. Madonna ka thënë se ishte vetë Lourdes që i propozoi të shkruanin një këngë bashkë, si mënyrë për të shëruar marrëdhënien e tyre. Burime pranë artistes tregojnë se marrëdhënia nënë-bijë ka kaluar periudha të vështira: Lourdes mendonte se nëna e saj ishte tepër e rreptë gjatë rritjes, ndërsa Madonna ndihej fajtore për mënyrën si e rriti vajzën nën dritën e vazhdueshme të famës botërore.
Në këngën e përbashkët, Madonna i drejtohet Lourdes me nofkën “yll i vogël”, të cilën e përdori edhe në albumin “Ray of Light” të vitit 1998, kur vajza ishte dy vjeçe. Sipas mikut të saj, distanca mes tyre u krijua edhe sepse Lourdes dëshironte të ndërtonte identitetin e saj pa u parë vetëm si vajza e një superylli.
Madonna ka përballur për vite me radhë kritika për stilin e rreptë të rritjes së gjashtë fëmijëve të saj. Raportimet thonë se ajo vendoste rregulla të forta në shtëpi, duke kufizuar përdorimin e teknologjisë dhe duke ndjekur një stil jetese të disiplinuar. Lourdes ka pranuar më parë se nëna e saj ishte “një maniake e kontrollit” dhe se pas përfundimit të shkollës së mesme ndjeu nevojën të jetonte e pavarur për të ndërtuar jetën e saj.
Sipas burimeve pranë familjes, bashkëpunimi muzikor ka ndihmuar nënë e bijë të lënë pas mosmarrëveshjet dhe të afrohen sërish. “Madonna dhe Lola kanë pasur vështirësi në marrëdhënien e tyre, por tani po shkojnë shumë mirë falë krijimit të kësaj kënge”, u shpreh miku i artistes për Page Six.

