Humbja e Argjentinës në finalen e Kupës së Botës ndaj Spanjës ka nxitur kritika ndaj trajnerit Lionel Scaloni, sidomos për zgjedhjet taktike dhe vendimin për të mos aktivizuar Lautaro Martinez. Sipas analizës së mediave italiane, Spanja dominoi ndeshjen në çdo aspekt, ia mori kontrollin e topit Argjentinës dhe e pengoi të ndërtonte aksione sulmuese. Kampionët e botës në fuqi nuk regjistruan asnjë goditje në kuadrat gjatë 120 minutave, ndërsa vetëm në minutat e fundit të kohës shtesë u afruan me rrezik pranë portës së Unai Simón.
Ndërkohë që vlerësohet cilësia e skuadrës së Luis de la Fuente si faktori kryesor i triumfit, analiza thekson se edhe qasja tepër mbrojtëse e Argjentinës ndikoi në rezultatin. Sipas saj, skuadra e Scalonit u mbështet thuajse tërësisht te frymëzimi individual i Lionel Messit, pa arritur të ndërtojë lojë kolektive apo të shfrytëzojë krahët. Një nga vendimet më të kritikuara ishte mosaktivizimi i Lautaro Martinez: sulmuesi i Interit, autor i golave vendimtarë ndaj Zvicrës, Anglisë dhe Jordanisë gjatë turneut, ndoqi finalen nga stoli.
Edhe pas kartonit të kuq të Enzo Fernández dhe ndryshimeve të detyruara, Scaloni zgjodhi të forconte mbrojtjen me Marcos Senesi në vend të futjes së Lautaros, vendim që, sipas kritikave, i la më shumë hapësira Spanjës për t’u përqendruar te Messi. Teksa trajneri mori vendime taktike për të mbajtur strukturën mbrojtëse, mungesa e alternativa sulmuese të përdorura gjatë ndeshjes u paraqit si një ndër arsyet pse Argentina nuk arriti të krijonte rrezik të vazhdueshëm kundër portës spanjolle.
Pas ndeshjes, Lautaro reagoi në rrjetet sociale, duke shprehur krenarinë për rrugëtimin e Argjentinës dhe keqardhjen që nuk pati mundësi të ndihmonte skuadrën në fushë. “U përpoqëm. Për të dytin Botëror radhazi arritëm në finale, por këtë herë nuk shkoi siç shpresonim. Jam jashtëzakonisht krenar që jam argjentinas. Do të kisha dashur ta ndihmoja ekipin edhe në fushë, por kështu erdhën gjërat. Faleminderit të gjithë atyre që na mbështetën gjatë gjithë këtij Botërori”, shkroi sulmuesi i Interit. Burimi: Top Channel.

