Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve që po zhvillohet në Paris, ku merr pjesë Shqipëria e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, vendosi të ndërtojë një program të përbashkët evropian anti-balistik. Bëhet fjalë për një program mbrojtjeje për Evropën kundër raketave balistike, që do të përdorë përvojën e Kievit në luftën kundër Rusisë, konflikt i cili vijon prej më shumë se katër vjetësh. Udhëheqësit evropianë thanë se synimi është ndërtimi i një “aftësie të përbashkët mbrojtëse nga raketat balistike për Evropën”, sipas deklaratës së bërë të hënën gjatë samitit, ku ata u takuan për bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Njoftimi për programin u bë në të njëjtën kohë kur Mbretëria e Bashkuar nënshkroi pjesëmarrjen në kredinë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ukrainën. Ky veprim u përshkrua si lëvizja e parë konkrete të bashkëpunimit më të ngushtë midis BE-së dhe Britanisë që nga dalja e saj nga blloku në vitin 2020 pas Brexit. Udhëheqësit evropianë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, u mblodhën në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili priti dhe përqafoi ngrohtësisht Ramën dhe liderë të tjerë. Presidenti Zelensky mbërriti gjithashtu në Paris të hënën, duke kërkuar përshpejtimin e përpjekjeve me vendet evropiane për të zhvilluar mbrojtjen ajrore të Ukrainës para dimrit.
Në deklaratën e samitit thuhet se programi anti-balistik do të përfshijë “një arkitekturë të integruar të mbrojtjes nga raketat, për të penguar dhe neutralizuar kërcënimet e ardhshme nga raketat”. Kjo nismë e përbashkët evropiane bazohet në praktikat dhe eksperiencat e fituara në luftën ukrainase dhe synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse të kontinentit ndaj sulmeve me raketa balistike. Artikulli u publikua nga Top Channel.

