Dita e dytë e samitit të G7 në Evian të Francës ka nisur me një atmosferë të ngarkuar politike dhe diplomatike, ku në axhendë dominuese janë marrëveshja SHBA–Iran, lufta në Ukrainë dhe çështjet e sigurisë globale. Pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë mbërritjen e liderëve në sallën kryesore të punimeve; presidenti amerikan Donald Trump ka ardhur në samit me marrëveshjen SHBA–Iran në fokus të diskutimeve.
Një nga temat më të ndjeshme është situata në Ngushticën e Hormuzit. Franca ka theksuar nevojën për garantimin e lirisë së lundrimit dhe stabilitetit të rrugëve detare ndërkombëtare, ndërsa disa vende evropiane kërkojnë më shumë qartësi mbi zbatimin e marrëveshjes së re mes Uashingtonit dhe Teheranit. Shtetet e Bashkuara kanë ngritur pritshmërinë për përfshirjen e vendeve evropiane në operacionet për sigurinë detare, përfshirë pastrimin e minave detare pas përfundimit të armiqësive. Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Franca është “gati të bëjë pjesën e saj”, ndërsa Trump ka minimizuar nevojën për një angazhim të madh ndërkombëtar.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mori pjesë në samit dhe u prit nga Macron në kopshtet e Hôtel Royal, në brigjet e Liqenit të Gjenevës. Zelensky pritet të zhvillojë bisedime me liderët e G7 për të forcuar mbështetjen ushtarake dhe politike për Ukrainën në luftën kundër Rusisë dhe ka shprehur interes për një takim të drejtpërdrejtë me Donald Trump gjatë samitit.
Gjatë ditës së parë, liderët zhvilluan një darkë pune rreth dy orëshe ku diskutohej kryesisht marrëveshja SHBA–Iran, lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme. Sipas burimeve diplomatike, bisedimet kanë qenë “të sinqerta” dhe të thella, me shumë pyetje të ngritura mbi detajet e marrëveshjes me Teheranin, e cila ende nuk është bërë publike në mënyrë të plotë. Sipas deklarimeve të presidentit amerikan, marrëveshja pritet të kontribuojë në normalizimin e situatës dhe në rikthimin e qarkullimit të lirë në nyjen strategjike, megjithatë disa liderë evropianë mbeten rezervë dhe kërkojnë më shumë transparencë.
Samiti i G7 në Evian vijon me sesione të tjera pune, ku pritet të theksohen përpjekjet diplomatike për zgjidhje të konflikteve kryesore dhe koordinimi për sigurinë globale.

