Sytë e botës janë kthyer te Shenzheni i Kinës, ku zhvillohet Samiti i 33-të i Bashkëpunimit Ekonomik Azi‑Paqësor (APEC), i konsideruar si një samit historik. Tre liderët më të fuqishëm — presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping — u takuan, shtrënguan duart dhe u ulën në të njëjtën tryezë, në përpjekje për të riformëruar ekuilibrat e sigurisë, tregtisë dhe rendit botëror.
Samitin e hapi Xi Jinping, i cili bëri thirrje për bashkim dhe bashkëpunim: “Duhet të ndërtojmë ura të hapjes dhe bashkëpunimit”, duke shprehur gatishmërinë e Kinës për të punuar me të gjitha palët. Ai pohoi nevojën për të punuar drejt “një Zone të Tregtisë së Lirë të Azi‑Paqësorit”, për të ndërtuar “një rrjet ndërlidhjeje shumëdimensionale” dhe për të rritur bashkëpunimin në transformimin digjital të tregtisë, tregtinë elektronike ndërkufitare dhe doganat inteligjente.
Nga podiumi, Vladimir Putin theksoi se bota po përjeton “një zhvendosje tektonike”, me rajonin e Azi‑Paqësorit që po bëhet “qendra e re e ekonomisë globale”. Ai kritikoi ish‑hegemonët dhe veprimet e Perëndimit, duke akuzuar Evropën për “rënie poshtëruese” dhe humbje të kapacitetit industrial dhe konkurrueshmërisë, si pasojë e refuzimit të burimeve energjetike ruse dhe, sipas tij, dështimit për t’u përshtatur me realitetet e reja ekonomike. Putin deklaroi gjithashtu se sanksionet perëndimore kanë dështuar.
Gjatë ditës së parë, zhvillime e pamje të paprecedenta diplomatike shënuan samitin: Xi Jinping theu protokollin dhe priti personalisht në pistën e aeroportit homologun amerikan Donald Trump. Përpara kamerave, shtrëngimi i duarve mes Trump, Putin dhe Xi u shfaq si momenti më historik nga Shenzheni; liderët shkëmbyen një bisedë të shkurtër në atmosferë miqësore.
Vëmendja tani është te sesionet e së enjtes, ku priten fjala e Donald Trump dhe takimi trepalësh mes Trump, Xi dhe Putin. Kremlini ka njoftuar se takimi do të zgjasë jo më shumë se një orë, por pritet të ketë ndikim vendimtar për çështje si lufta në Ukrainë, çarmatimi bërthamor dhe e ardhmja e tregtisë globale.
