Kostoja e luftës së SHBA-së në Iran po rritet ndjeshëm: Pentagoni njoftoi se deri tani konflikti ka kushtuar 29 miliardë dollarë, një shifër më e lartë se vlerësimi prej 25 miliardë dollarë që iu dorëzua Kongresit dy javë më parë. Sipas një zyrtari të lartë amerikan, në këtë faturë përfshihen kostot operative, riparimi i bazave ushtarake dhe zëvendësimi i pajisjeve të dëmtuara apo të shkatërruara gjatë sulmeve në Lindjen e Mesme.
Ekspertët paralajmërojnë se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë. Linda Bilmes, eksperte e politikave publike, vlerëson se konflikti mund t’u kushtojë taksapaguesve amerikanë të paktën 1 trilion dollarë në vitet e ardhshme. Ajo përmend se kostot afatshkurtra përfshijnë blerjen e raketave dhe bombave, mirëmbajtjen e aeroplanmbajtëseve, pagesat për trupat amerikane dhe zëvendësimin e avionëve apo dronëve të humbur. Bilmes thekson se çmimet e armëve kanë pësuar rritje: si shembull, një raketë Tomahawk që më parë kushtonte rreth 2 milionë dollarë tani mund të arrijë deri në 3.5 milionë dollarë.
Kostot afatgjata, sipas ekspertëve, lidhen me rindërtimin dhe përforcimin e bazave ushtarake, rifurnizimin me armë më moderne dhe shpenzimet për kujdesin shëndetësor të rreth 55 mijë ushtarëve amerikanë të vendosur në rajon. Këto elemente pritet të ndikojnë në buxhetin e mbrojtjes dhe të rrisin barrën financiare për vitet që vijnë.
Konflikti po ka edhe pasoja për ekonominë globale. Departamenti Amerikan i Energjisë paralajmëron se çmimi i naftës mund të mbetet mbi 100 dollarë për fuçi në javët e ardhshme, ndërsa analistët parashikojnë që çmimi i benzinës në SHBA mund të ngjitet deri në 5 dollarë për galon. Këto luhatje potenciale të çmimeve të energjisë pritet të ndikojnë në konsumatorët dhe tregjet ndërkombëtare në perihtën e afërt.

