Shkrimtari dhe regjisori japonez Ryu Murakami ka vdekur në moshën 74-vjeçare, duke lënë pas një vepër që sfidonte normat shoqërore dhe eksploronte anët më të errëta të shoqërisë bashkëkohore. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur të premten nga shtëpia botuese Gentosha, e cila shprehu pikëllimin për humbjen e një autori që gjatë gjithë karrierës botoi tekste që sfidonin kufijtë e letërsisë. Gentosha e përshkroi Murakamin si një njeri që jetoi me vrullin e dikujt përpara kohës së vet.
Murakami njihej për romanet e tij provokuese, ku ndërthuheshin dhuna, varësitë, tjetërsimi dhe kriza e identitetit. Ai u bë i njohur që me romanin e tij të parë, “Vija blu në lëkurë transparente”, të botuar më 1976, vepër që trajton rënien e një rinie rebele mes ekseseve dhe sjelljeve vetëshkatërruese dhe që u vlerësua me çmimin Akutagawa, një nga çmimet më prestigjioze letrare në Japoni. Katër vjet më vonë publikuoi “Fëmijët e dollapëve të bagazheve” (Coin Locker Babies), roman që rrëfen historinë e dy fëmijëve të braktisur në dollapët e bagazheve të një stacioni hekurudhor dhe përpjekjet e tyre për të mbijetuar në botën e errët të Tokios. Ndër veprat e tij të njohura është edhe “Në supën e misos” (In the Miso Soup), që e çon lexuesin në mjediset e errëta të jetës së natës në kryeqytetin japonez.
Përmes personazheve të trazuar dhe rrëfimeve të drejtpërdrejta, Murakami e përdori letërsinë si hapësirë për të eksploruar vetminë, dhunën dhe humbjen e lidhjeve njerëzore. Veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë, përfshirë gjermanishten, duke zgjeruar ndikimin e tij përtej kufijve të Japonisë. Ai krijoi një zë të veçantë në letërsinë japoneze, veçanërisht mes lexuesve të rinj, dhe mbeti një autor që nuk kërkoi të zbukurojë realitetin, por ta përballë lexuesin me kontradiktat, plagët dhe anët më të parehatshme të shoqërisë.

