Sipas banorëve dhe barinjve të zonës, gjatë një stuhi janë regjistruar dhjetëra goditje rrufesh në Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe në fshatrat dhe zonat përreth: Malësinë e Sopotit, Polisin, Xhyrën, Dardhën dhe Spatharin. Goditjet e shumta kanë krijuar momente paniku dhe frike për njerëzit që ndodheshin në kullota dhe zona të hapura në kohën e stuhiës.
Në fshatin Spathar, brenda Njësisë Administrative Qendër, në vendin e njohur si “Arrës”, një tufë me dhi është goditur direkt nga rrufeja. Si pasojë e shkarkesës së fuqishme elektrike, 15 bagëti kanë ngordhur në vend. Ngjarja i shkaktoi një dëm të konsiderueshëm ekonomik familjes së bariut Shaban Kurti.
Gjatë ditës së sotme po kryhen procedurat për groposjen e tufës së bagëtive të ngordhura. Këtë bëjnë me qëllim shmangien e problemeve sanitare dhe për mbrojtjen e mjedisit. Autoritetet lokale dhe veterinarët janë angazhuar për ndjekjen e situatës dhe për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fenomenet atmosferike.

