Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Europa është sot një partnere shumë më e fortë për Shtetet e Bashkuara sesa pesë vjet më parë, për shkak të rritjes së investimeve në mbrojtje nga vendet aleate. Gjatë një diskutimi me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në kuadër të samitit të NATO-s në Turqi, Rutte theksoi se aleanca nuk mund të mbështetet më në mënyrë të tepruar te SHBA, duke theksuar: “Nuk mund të vazhdojmë të jemi tepër të varur nga Shtetet e Bashkuara. Na duhet një Europë dhe një NATO shumë më e fortë.”
Rutte përmend si një nga prioritetet kryesore të NATO-s zgjerimin e industrisë së mbrojtjes në Europë, si dhe bashkëpunimin me Kanada-n dhe SHBA-në për këtë qëllim. Ai nënvizoi se në disa vende europiane tashmë janë hapur linja të reja prodhimi për pajisje ushtarake, si pjesë e përpjekjeve për të rritur kapacitetet prodhuese dhe pavarësinë strategjike të aleancës.
Ai e përshkroi këtë proces si transformimin më të madh të Aleancës që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, duke deklaruar se “Europa po merr shumë më tepër përgjegjësi brenda NATO-s. Sot kemi një aleancë të transformuar, ku SHBA ka një partner shumë më të fortë në Europë. Kjo e bën të gjithë NATO-n më të fortë.” Sipas tij, forcimi i rolit evropian brenda Aleancës nuk synon të zëvendësojë SHBA-në, por të krijojë një balancë më të qëndrueshme dhe një kapacitet më të madh kolektiv për reagim ndaj sfidave.
Këto deklarata vijnë ndërsa aleatët e NATO-s po shtojnë investimet në mbrojtje dhe po synojnë forcimin e kapaciteteve ushtarake përballë sfidave të sigurisë. Rritja e prodhimit të pajisjeve ushtarake dhe zgjerimi i industrisë së mbrojtjes përshkruhen si hapa kyç në arritjen e qëllimit për një NATO më të fuqishme dhe më të pavarur strategjikisht.

