Në puntatën e fundit të programit “Rrethi Katror” në emisionin “E Diell”, Alfred Cako trajtoi temën e gjuhës shqipe, pas protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e saj. Ai paraqiti një seri rastesh historike që, sipas tij, dëshmojnë për përpjekje sistematike të pushtuesve për të zhdukur gjuhën shqipe dhe lidhjet e popullit shqiptar me të kaluarën e tij.
Cako u ndal tek figura dhe ngjarje të ndryshme historike, duke theksuar se ka pasur një armiqësi të vazhdueshme kundër gjuhës nëpër epoka. Ai përmendi Odoacerin, të cilin e quajti pushtues i madh i vitit 467 që mundi perandorin e fundit Romulus Augustulus, dhe tha se një nga kërkesat e tij në Romë ishte që të zhdukeshin ilirët dhe gjuha e ilirëve nga administrata e Romës. Po ashtu, ai përmendi Mehmet Fatihin pas pushtimit të Bizantit në 1453, duke thënë se një nga kërkesat e tij, që nga dita e tretë e pushtimit, ishte që arbëreshët të hiqeshin nga Bizanti dhe të mos dëgjohej gjuha shqipe.
Si rast tjetër, Cako përmendi veprimin e Shën Kozmaint, i cili, sipas tij, kur vepronte në emër të Kishës Ortodokse për kthimin dhe konvertimin e popullsive në zonën e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, kërkonte që ortodoksët të mos flisnin shqip, por kryesisht greqisht ose turqisht. Ai citon se Kozmai e konsideronte gjuhën shqipe si të mallkuar dhe se banorët e vranë dhe ia prenë kokën.
Duke përmbledhur këto shembuj, Cako shprehu se ekziston “një mister i madh” dhe nuk është i bindur plotësisht, por dyshon se gjuha shqipe, përpara përmbytjes së madhe, mund të ketë qenë një gjuhë ndërkombëtare, të ngjashme me anglishten sot, dhe se përpjekjet për ta zhdukur synojnë të prishin çdo lidhje me atë epokë, të cilën ai e përmend si “gjeneratën e katërt”. Ai shtoi se sot gjuha shqipe mbahet nga populli shqiptar në Ballkan dhe në diasporë.

