Qeveria shqiptare ka nxjerrë për konsultim publik një projektvendim që përcakton mënyrën e dhënies me qira të zonave të gjuetisë, mbarështimit dhe ripopullimit të faunës së egër, me qëllim vendosjen e rregullave më të qarta për administrimin e gjuetisë dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Dokumenti obligon bashkitë, pas shpalljes së zonave të gjuetisë, të hapin procedurat publike për dhënien me qira dhe të krijojnë komisione të posaçme për ndjekjen e konkurrimit dhe vlerësimin e subjekteve pjesëmarrëse.
Projektvendimi vendos kritere më të rrepta për subjektet që kërkojnë administrimin e zonave të gjuetisë. Aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacion të plotë ligjor dhe financiar, plan biznesi dhe plan menaxhimi për zonën, si dhe të provojnë kapacitetet teknike dhe përvojën profesionale. Oferta do të vlerësohet me sistem pikëzimi, ndërsa kontrata e qirasë do të jetë pesëvjeçare. Pas shqyrtimit të dokumenteve dhe ofertave, komisioni harton raportin përfundimtar dhe ia paraqet kryetarit të bashkisë; fitues shpallet subjekti që merr numrin më të lartë të pikëve. Subjektet kanë të drejtë ankimi brenda afateve të përcaktuara.
Një ndër synimet kryesore të projektvendimit është forcimi i luftës kundër gjuetisë së paligjshme. Teksti parashikon kontrolle më të forta institucionale, përgjegjësi më të mëdha për subjektet që administrojnë zonat, mbrojtje të habitateve natyrore dhe masa për ripopullimin e specieve të dëmtuara. Në relacion theksohet se projektvendimi vjen në zbatim të ligjit të ri “Për Gjuetinë”, miratuar në vitin 2025, dhe argumentohet se më parë ka pasur boshllëqe në procedurat e dhënies me qira, mungesë kriteresh të qarta vlerësimi dhe nivel të ulët kontrolli mbi subjektet menaxhuese.
Në vitet e fundit, gjuetia në Shqipëri ka qenë shpesh objekt debati publik për shkak të dëmtimit të faunës së egër dhe rasteve të shumta të gjuetisë së paligjshme. Për disa vite kishte qenë në fuqi moratoriumi i gjuetisë, i cili u hoq më 1 janar 2025 kur u përcaktuan rregullat e reja; megjithatë, ekspertët e mjedisit kanë shprehur shqetësim se gjuetia e paligjshme ka vazhduar në disa zona.

