Cristiano Ronaldo është shpallur fitues i çmimit “Ballon d’Or of All Time” (B.O.A.T.), duke lënë pas Lionel Messin. Ylli portugez ia dedikoi vlerësimin tifozëve në mbarë botën përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku shkroi: “Futbolli u përket tifozëve! Faleminderit të gjithë tifozëve në mbarë botën. Topi i Artë i të gjitha kohërave është edhe i juaji”. Postimi u publikua të enjten, më 29 tetor, dhe u shoqërua me një fotografi ku Ronaldo puth trofeun e tij të parë të Topit të Artë, të fituar në vitin 2008 me Manchester United.
Çmimi “B.O.A.T.” u prezantua në kuadër të 70-vjetorit të Topit të Artë dhe u vendos përmes votimit të tifozëve, të cilët u ftuan të zgjedhin sezonin më të mirë të fituesve të këtij trofeu. Në këtë votim, fushata e Ronaldos në vitin 2008 me Manchester United u rendit në vendin e parë. Në vend të dytë renditet sezoni i Lionel Messit në vitin 2012, kur argjentinasi shënoi 91 gola brenda një viti kalendarik. Në vend të tretë u rendit sezoni i Ronaldos në vitin 2017, kur ai fitoi Topin e Artë si lojtar i Real Madridit.
Viti 2008 për Ronaldo ishte një sezon me 42 gola në të gjitha kompeticionet dhe kontribuoi në fitimin e Premier League dhe Ligës së Kampionëve nga Manchester United. Ndryshe nga Topi i Artë tradicional, i cili përcaktohet nga votat e gazetarëve, çmimi B.O.A.T. u vendos përmes një votimi publik me pagesë: çdo votë kushtonte një euro dhe tifozët mund të votonin disa herë. Për këtë arsye, sipas përshkrimit të nismës, rezultati pasqyron mbështetjen e madhe të Ronaldos në mbarë botën, por nuk përbën një përcaktim përfundimtar se kush është futbollisti më i mirë në histori.
Raportohet se çmimi nuk është një Top i Artë zyrtar shtesë dhe as “Super Topi i Artë”, dhe se nuk u dha një trofe fizik për këtë vlerësim. (Top Channel)

