Italia përfundoi fazën e parë të Nations League me dy fitore, një barazim dhe një humbje. Pas katër ndeshjeve të para, trajneri Roberto Mancini bëri një bilanc të përgjithshëm, duke vlerësuar përvojën me nota pozitive, por duke shprehur rezervat e tij për formatin e kompeticionit. “Të qenit bashkë me djemtë ishte një gjë pozitive, kjo është e sigurt,” tha Mancini gjatë një ceremonie për Çmimin Vialli në Rimini, por shtoi se “Katër ndeshje kështu janë shumë dhe nuk besoj se ky është një format ideal”.
Mancini theksoi nevojën për ekuilibër në skuadër dhe për një vlerësim të arsyeve pas rezultateve: ndeshja e parë kundër Belgjikës, sipas tij, “nuk ishte një katastrofë” dhe as gjendja aktuale “nuk është diçka e jashtëzakonshme”. Trajneri insistoi që skuadra duhet të përparojë gradualisht, duke pranuar se bëhen edhe gabime gjatë procesit të rritjes: “duhet të kemi ekuilibër; skuadra duhet të rritet, është një skuadër e re që do të bëhet akoma më e re me kalimin e muajve dhe që ka nevojë të bëjë edhe gabime. Është e nevojshme të kemi një ekuilibër, mendoj se është gjëja më e mirë.”
Përveç vlerësimit për ekipin e parë, Mancini përmendi edhe suksesin e kombëtares U21, që u kualifikua për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm. Ai i bëri komplimente stafit dhe lojtarëve të grupmoshës së re: “Iu bëj komplimenta sepse skuadra U21 ka regjistruar një rezultat të shkëlqyer… u kualifikuan direkt për në Evropian, mendoj se është shumë pozitive. Komplimentoj Baldinin për punën që ka bërë; me siguri do të ketë shumë djem të talentuar që do të vijnë në kombëtaren e madhe.”
Mancini gjithashtu foli për mikun e tij, Gianluca Vialli, duke shprehur mungesën dhe respektin ndaj tij: “Kujt nuk i mungon? Më mungon shumë Gianluca, siç iu mungon të gjithë shokëve të skuadrës së atyre viteve… Ai ishte diçka speciale, ishte gjithnjë emocionuese të luaje me të.”

