Me përparimin e teknologjisë duket se ‘rinia e përjetshme’ po kalon nga fantazia drejt mundësive shkencore. Për herë të parë një qenie njerëzore i është nënshtruar një trajtimi të projektuar për të përmbysur procesin e plakjes qelizore. Një kompani bioteknologjike me seli në Boston, Life Biosciences, zhvilloi terapinë gjenetike ER-100 (AAV2-OSK) që synon rikthimin e qelizave të plakura ose të dëmtuara te njerëzit. Qëllimi i parë i kësaj terapie është më i kufizuar: trajtimi i dy sëmundjeve serioze të nervit optik, glaukoma dhe neuropatia optike ishemike anteriore jo-arteritike. Pas provave në brejtës dhe disa gjitarë, kompania njoftoi se personi i parë ka marrë trajtimin.
Terapia përdor tre proteina, faktorët OSK — Oct4, Sox2 dhe Klf4 — për të riprogramuar pjesërisht qelizat, duke “fshirë moshën” e tyre dhe duke rikthyer funksionin. Në njoftim kompania e përshkroi ER-100 si kandidatin e parë për restaurim epigjenetik të miratuar për prova klinike dhe theksoi se, nëse i suksesshëm, do të përfaqësonte rastin e parë të ripërtëritjes qelizore tek njerëzit. David Sinclair, bashkëthemelues i Life Biosciences dhe profesor i gjenetikës, shpjegoi se hulumtimet e tyre sugjerojnë se plakja është kryesisht e nxitur nga humbja e informacionit epigjenetik, jo nga dëmtimi i pakthyeshëm, dhe se triali klinik do të testohet nëse rivendosja e këtij informacioni mund të përmirësojë rrjedhën e sëmundjeve njerëzore.
Sekuenca e ADN-së së një personi mbetet kryesisht e qëndrueshme, por kodi epigjenetik që kontrollon aktivizimin e gjeneve ndryshon me kohën. Këto ndryshime, të nxitura nga faktorë të stilit të jetës, plakja, sëmundjet dhe lëndimet, mund të çojnë në pasoja të dëmshme, përfshirë kancerin ose çrregullimet neurologjike. Terapia e Life Biosciences synon t’i kundërvihet këtyre ndryshimeve duke ofruar drejtpërdrejt udhëzime gjenetike: tre proteinat OSK veprojnë si një çelës “ndezës” që rivendos ndryshimet e dëmshme të grumbulluara me kalimin e kohës dhe rikthen qelizat në një gjendje më rinore. E njëjta qasje është përdorur më parë për të transformuar qelizat normale në qeliza burimore, zbulim që i dha Sir John B. Gurdon dhe Shinya Yamanaka Çmimin Nobel për Fiziologji ose Mjekësi në 2012. Top Channel.

