Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, së bashku me drejtorin e Institutit Kombëtar të Tumoreve, Helidon Nina, vizituan qendrën ditore të kimioterapisë të rikualifikuar në Spitalin Rajonal të Vlorës. Ky investim bën pjesë në transformimin e shërbimit onkologjik në vend, me synimin që gjatë viteve 2026–2027 shërbimet onkologjike të shtrihen në 12 spitale rajonale. QSUT, Vlora dhe Korça janë tre investimet e para të përfunduara, ndërsa puna vijon në Shkodër, Lezhë dhe Fier.
Ministrja Sala theksoi se afrimi i shërbimit me pacientin është një nga prioritetet e reformës në fushën e onkologjisë dhe vlerësoi bashkëpunimin e MSHMS me fondacionin “Mane” për rikualifikimin e disa prej qendrave ditore të kimioterapisë në vend. Ajo u shpreh: “Më pak se një vit më parë mora angazhimin që onkologjia të ishte në qendër të vëmendjes, si një nga reformat kryesore të mia si ministre e Shëndetësisë, por edhe si mjeke me një karrierë të gjatë në fushën e onkologjisë. Bëmë realitet ato që premtuam. Ngritëm Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe përforcuam rrjetin onkologjik. Qendra në Vlorë është qendra e tretë e rikualifikuar dhe puna do të vijojë me qendrat e tjera, me synimin për ta përfunduar këtë proces brenda vitit 2027.”
Sala theksoi gjithashtu rëndësinë e komunikimit mes mjekut dhe pacientit: “Ne, si mjekë dhe profesionistë të shëndetësisë, nuk duhet të lëmë asnjë pyetje pa përgjigje. Duhet të kemi durimin t’u shpjegojmë pacientëve të gjithë informacionin që u nevojitet”.
Për forcimin e shërbimit onkologjik po punohet në standardet e organizimit të Rrjetit Kombëtar Onkologjik, infrastrukturën, pajisjet dhe sigurimin e barnave. Janë miratuar 38 protokolle të unifikuara të trajtimit onkologjik, janë vlerësuar 8 pika kimioterapie, 3 prej të cilave janë rikualifikuar, dhe është në proces hapja e pikës së nëntë në Spitalin Memorial Fier. Për herë të parë është ngritur Qendra e Gjirit (Breast Unit), një model multidisiplinar për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të gjirit sipas praktikave bashkëkohore.
Në drejtim të diagnostikimit dhe trajtimit, akseleratori i tretë u vu në funksion në maj 2026, ndërsa akseleratori i katërt pritet t’i bashkohet rrjetit më tej. Gama e barnave onkologjike në qendrat rajonale u zgjerua me 23% dhe u përfshinë 9 principe aktive të reja, duke zgjeruar alternativat terapeutike për pacientët me tumore hematologjike, kancer të mushkërisë e gjirit, melanomë dhe tumore me biomarkerë specifikë.

