Programi “Punë pa teka” rifillon në Top Channel më 19 maj, çdo të martë në orën 21:00. Moderatorja dhe autore Kristi Gongo shprehu gëzim për besimin dhe përgjegjësinë që i është dhënë: “Jam shumë e lumtur për besimin që më është dhënë dhe gjithë përgjegjësinë që vjen pas”.
“Punë pa teka” paraqet një pasqyrë të realitetit, që sjell një ditë pune në profesione të ndryshme me ndjeshmërinë e Kristi Gongos si autore dhe moderatore. Si risia kryesore e sezonit të tretë është përfshirja e 50 adoleshentëve, me synimin që programi të bëhet një urë lidhëse brezash dhe t’i drejtojë të rinjtë drejt punës.
Gongo e konsideron sezonin e tretë si përgjigje ndaj një krize që prekin adoleshentët dhe si një dritare në televizion për t’u treguar modele pune: “Sezoni i tretë i ‘Punë pa teka’ vjen në përgjigje të një krize që ka mbërthyer adoleshentët dhe si një dritare e re në televizion për t’iu treguar atyre pikërisht modele pune, duke i përfshirë ata direkt, për të kuptuar vlerën e parasë, se sa e vështirë është të punosh çdo ditë me përkushtim, me ndershmëri e dinjitet. I përballim kështu me këtë realitet, për t’i shkëputur nga bota virtuale ku ata shpenzojnë orë të tëra.”
Moderatorja përshkroi gjithashtu sfidat e organizimit dhe pranimit të të rinjve për të përveshur mëngët në punë, duke vënë në dukje skepticizmin fillestar të adoleshentëve: “Në fillim, fakti që nuk e kanë parë një gjë të tillë, i bën paksa skeptikë. Nuk duan të zgjohen herët, kanë ato tekat e tyre pa filluar puna. Në momentin që përfshihen në një ditë pune, në përfundim të saj, përshtypjet janë të jashtëzakonshme”.
Gongo thekson rëndësinë e orientimit të të rinjve drejt modeleve të punës dhe vlerëson mbështetjen që ka marrë projekti nga Ambasada Zvicerane në Shqipëri. Sipas saj, bashkëpunimi me programin e bashkëpunimit zviceran, i fokusuar në investime aty ku ka më shumë nevojë dhe në punë, e bën këtë partneritet të unifikuar për të edukuar njerëzit me modele pune.

