Besimi i qytetarëve gjermanë ndaj shtetit ka arritur nivelin më të ulët të regjistruar, sipas sondazhit të publikuar nga nisma D21 dhe Universiteti Teknik i Mynihut. Vetëm 32 për qind e të anketuarve deklaruan se kanë besim të madh ose shumë të madh ndaj shtetit në përgjithësi, nga 38 për qind katër vjet më parë, tregojnë të dhënat e studimit.
Edhe besimi ndaj administratës dhe zyrave shtetërore ka pësoer rënie, duke zbritur në 34 për qind krahasuar me 37 për qind më parë. Megjithatë, në mesin e institucioneve publike, policia ruan nivelin më të lartë të besimit me 55 për qind, ndërsa sistemi i drejtësisë dhe gjykatat marrin 41 për qind besim të madh ose shumë të madh.
Nga ana politike, besimi i qytetarëve duket më i lartë në nivel lokal: bashkitë dhe komunat fitojnë besimin e 29 për qind të të anketuarve. Institucionet rajonale mbeten më pak të besuara me 20 për qind, ndërsa institucionet federale regjistrojnë vetëm 17 për qind besim të madh ose shumë të madh.
Besimi ndaj mediave gjithashtu është i ulët: vetëm 20 për qind e të anketuarve shprehen se kanë besim të madh ose shumë të madh ndaj shtypit dhe mediave. Këto rezultate vendosin sfondin e perceptimit publik për funksionimin dhe legjitimitetin e institucioneve të ndryshme në Gjermani.
Sondazhi u krye nga Kantar gjatë muajve prill dhe maj dhe përfshiu rreth 8 mijë persona mbi 16 vjeç në të gjithë Gjermaninë. Studimi, i titulluar “eGovernment Monitor 2026”, ishte i përqendruar kryesisht te transformimi digjital i administratës publike, ndërsa pyetjet mbi besimin në institucione ofrojnë një pasqyrë të qëndrimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe të aktorëve të ndryshëm publikë në marrëdhëniet me shërbimet dhe komunikimin publik.

