Të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një aksident hekurudhor në Spanjë, ku një tren që udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes u përplas me një tren të ndaluar në shina. Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes dhe regjistrime audio të publikuara nga mediat spanjolle, përfshirë El Pais dhe RTVE, tregojnë komunikimet mes makinistëve dhe qendrës së kontrollit në minutat para përplasjes.
Sipas regjistrimeve, treni me shpejtësi të lartë duket se mori leje për të vijuar udhëtimin, edhe pse rreth 25 kilometra më përpara ndodhej një tren tjetër i ndaluar. Treni i kompanisë private Iryo ishte ndalur në zonën e Urda-s për shkak të një problemi me sistemin kompjuterik dhe kontrolli i situatës u mor nga qendra e kontrollit hekurudhor në Madrid. Në një prej regjistrimeve, operatori i qendrës i kërkon makinistit të trenit të kompanisë shtetërore Renfe të “vazhdojë udhëtimin dhe më pas ndiqni sinjalizimin anësor, me shpejtësi normale dhe në kushte normale operimi”. Makinisti pyet nëse duhet të vazhdojë me shpejtësi normale; operatori përgjigjet “Po”.
Makinisti i trenit Iryo njofton qendrën se kishte humbur komunikimin me sistemin e kontrollit të trenit dhe se mjeti kishte mbetur i ndaluar “përpara sinjalit hyrës në Urda”. Pas disa komunikimesh, atij i kërkohet të rifillojë udhëtimin, por më vonë raporton se nuk mund ta vinte trenin në lëvizje për shkak të ndalimit nga sistemi i sigurisë. Regjistrimi i fundit ngre pikëpyetje mbi atë që dinte qendra e kontrollit për gjendjen e trenit Iryo në momentin kur treni i Renfe-s po afrohej.
Kompania Iryo tha se treni i saj, me 147 pasagjerë, u godit nga pas nga treni i Renfe-s, i cili transportonte 397 pasagjerë. Ministri i Transportit, Oscar Puente, e konsideroi “të pashpjegueshëm” vendimin për t’i udhëzuar trenat të vijonin lëvizjen pa kufizime shpejtësie. Kryeministri Pedro Sanchez deklaroi se “e gjithë Spanja është në zi”, duke shprehur ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre.
Ekipet e emergjencës punuan gjatë gjithë natës, duke përdorur pajisje të posaçme për të prerë vagonët e dëmtuar dhe për të nxjerrë viktimat; në operacion u angazhuan qindra efektivë si dhe dronë dhe helikopterë, sipas Ministrisë së Brendshme. Spanja ka shpallur tri ditë zie kombëtare. Hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë vazhdojnë.

