Të parët që preken nga ndarja e re administrative territoriale janë organet drejtuese të KQZ, që do të duhet të organizojnë zgjedhjet vendore të 2027‑s. Komisioneri Ilirjan Celibashi tha në një intervistë për Top Channel se do të ishte mirë që koha në dispozicion të jetë më shumë se 6, 7, 8, 9 muaj, duke shtuar se nuk mund të thotë sot se sa do të ndikojë kjo në cilësinë e përgatitjeve nga pikëpamja infrastrukturore, logjistike e organizative.
Celibashi lidh afatet e miratimit të reformës territoriale me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti. Ai vuri në dukje se, “nëse Presidenti cakton datën e zgjedhjeve, atëherë nuk do të kishte sens për këto zgjedhje”, dhe se nuk mund të shprehet me bindje për implikimet ligjore në rast se Kuvendi miraton ndarjen e re territoriale pasi Presidenti të shpallë datën. Kreu i KQZ tha se do të duhet të presin zhvillimet në fillim të sesionit të ri parlamentar dhe theksoi nevojën për qartësi, duke saktësuar se nuk po diskuton numrin e bashkive (nëse do të jenë 46, 60 apo 100).
Harta e re territoriale është aktualisht në fazën e konsultimit publik. 15 bashki po e kundërshtojnë me protesta, ndërsa opozita kërkon që ndarja e re të vendoset me referendum. Celibashi përmendi kufizime procedurale dhe kohore që lidhen me referendumet, duke theksuar se nuk mund të zhvillohen referendume në ditën e zgjedhjeve, qoftë për Kuvend apo për organet e qeverisjes vendore, dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë mbi kushtetutshmërinë e kërkesës për referendum.
Socialistët synojnë të kalojnë hartën në Kuvend në tetor, muaj që përkon me afatin kur Presidenti duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale të vitit 2027. Sipas Kodit Zgjedhor, këto zgjedhje duhet të mbahen në një nga të dielat mes 15 prillit dhe 15 majit.

