Real Madrid po shkon drejt një rekordi historik falë shitjeve të lojtarëve të dalë nga akademia e klubit. Të ardhurat nga transferimet e “La Fábrica” pritet të afrohen me 200 milionë euro, duke tejkaluar me shumë diferencë rekordin e mëparshëm.
Largimi i Gonzalos drejt Fulhamit është marrëveshja më e fundit dhe më domethënëse në këtë valë shitjesh. Sulmuesi do t’i bashkohet klubit anglez për 40 milionë euro, plus 2 milionë euro bonuse, ndërsa Real Madrid do të mbajë 30% të të drejtave të tij. Klubi madrilen ruan gjithashtu një të drejtë preferenciale për ta rikthyer në të ardhmen.
Një tjetër talent i akademisë, César Palacios, është gjithashtu pranë kalimit te Fulhami. Transferimi i tij pritet të mbyllet për një shumë që varion nga 8 deri në 10 milionë euro, në varësi të bonuseve, dhe Real Madrid do të mbajë gjithashtu një përqindje të kartonit të lojtarit.
Me shitjen e Gonzalos dhe transferimet e mëparshme të Nico Paz, Víctor Muñoz, Mario Gila, Álvaro Rodríguez, Álex Jiménez, Fran García, Mario Martín dhe Valdepeñas, të ardhurat nga akademia kanë arritur në rreth 175.5 milionë euro. Nëse finalizohet edhe marrëveshja e Palacios, shifra pritet të ngjitet në rreth 185.5 milionë euro.
Klubi pritet të arkëtojë edhe më shumë nga shitja e Jacobo Ortegës, i cili është pranë transferimit te Strasburgu për 8 milionë euro. Nga kjo marrëveshje, Real Madrid do të mbajë 50% të të drejtave të lojtarit.
Ndërkohë vazhdojnë negociatat për largimin e portierit Fran González drejt Sevillas. Bisedimet janë ngadalësuar për shkak të kushteve financiare dhe sportive, por te Real Madrid shprehen optimistë se marrëveshja do të arrihet.
Nëse mbyllen edhe këto operacione të nisura, të ardhurat totale nga akademia mund të afrohen me kufirin e 200 milionë eurove. Merkatoja verore ka ende një muaj deri në mbyllje, kohë në të cilën këto marrëveshje mund të finalizohen.

