Shtëpia e Bardhë ka publikuar një buletin të ri mjekësor mbi shëndetin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Dokumenti, i nënshkruar nga mjeku presidencial Sean Barbabela, përmend si gjetje të jashtme “kyçe të fryra” dhe mavijosje “beninje” në duar, si dhe një shtim në peshë prej rreth 6 kilogramësh, por thekson se përtej këtyre çështjeve presidenti gëzon “shëndet të shkëlqyer”. Buletini u publikua edhe si përgjigje ndaj thashethemeve të ditëve të fundit që lidhen me heshtjen e Shtëpisë së Bardhë dhe mungesën relative të presidentit nga ngjarjet publike, të cilat sugjeronin se mund të ishte fshehur ndonjë problem në testet shëndetësore.
Barbabella vë në dukje se sistemet kardiovaskulare, respiratore dhe neurologjike të presidentit janë të shëndetshme, duke përmbledhur gjendjen e tij të përgjithshme fizike si “të shkëlqyer” pavarësisht axhendës së ngjeshur ditore. Ai raporton gjithashtu se Trump ka arritur për herë të dytë rezultatin maksimal në Vlerësimin Konjitiv të Montrealit, një test i përdorur për të identifikuar çdo shenjë të përkeqësimit konjitiv ose demencës; testi është kryer nga presidenti disa herë që nga mandati i tij i parë.
Sa i përket parametrave truporë, raporti përcakton se Trump, me gjatësi 190 cm, peshon 108 kg, rreth 6.3 kg më shumë se në vizitën e tij të vitit të kaluar. Bazuar në indeksin e masës trupore, ai klasifikohet në kategorinë “mbipeshë” dhe i afërtohet pragut të obezitetit. Për shkak të kësaj, mjekët i kanë sugjeruar rritjen e aktivitetit fizik dhe vazhdimin e programit të menaxhimit të peshës, ndërsa ai vazhdon të marrë barna për uljen e kolesterolit.
Buletini përpiqet të qetësojë shqetësimet publike për gjendjen shëndetësore të presidentit duke ofruar detaje mbi ekzaminimet kryesore dhe rekomandimet e mjekëve. Top Channel.

