Raporti përfundimtar i Partisë Socialiste mbi reformën territoriale paraqet katër skenarë për mënyrën si mund të rikonfigurohet harta e bashkive me nisjen nga zgjedhjet e ardhshme lokale, por nuk propozon një numër të fiksuar njësish. Dokumenti prej 357 faqesh nuk përmban asnjë hartë apo listë me bashkitë e propozuara. Në parathënien e bashkëkryetarit socialist Arbër Mazniku argumentohet se ndarja administrative e miratuar 12 vjet më parë duhet rishqyrtuar, pasi shpërndarja e popullsisë dhe aktivitetit ekonomik ka ndryshuar: disa zona janë rritur, të tjera kanë humbur pjesë të konsiderueshme të banorëve, dhe disa bashki përballen me vështirësi në sigurimin e financave të qëndrueshme, stafit të kualifikuar dhe kapaciteteve administrative.
Skenarët e propozuar variojnë nga një decentralizim asimetrik që ruan numrin aktual të bashkive, te bashkimet e mëdha që ushtrojnë të gjitha funksionet, bashkimet e shkallës së mesme me rialokim të funksioneve plotësuese, dhe modeli me bashki të përqendruara vetëm te funksionet bazë. Pavarësisht dallimeve mes skenarëve, raporti identifikon tri prioritete të përbashkëta për reformën: (i) qartësimi i alokimit të disa funksioneve që formalmente i janë caktuar bashkive, por ushtrohen pjesërisht ose de facto nga nivele të tjera; (ii) qartësimi i ndarjes së kompetencave për funksionet ku qeverisja qendrore ka rol të rëndësishëm; dhe (iii) forcimi dhe ridizajnimi i sistemit të barazimit fiskal, për shkak se diferencat në kapacitet fiskal ndikojnë në ekzekutimin e detyrimeve dhe lënë disa funksione të nënfinancuara.
Dokumenti thekson lidhjen mes bashkimit të bashkive dhe autonomisë fiskale: bashkimi i njësive apo rritja e burimeve financiare vetëm nuk mjafton për të garantuar që një bashki e re të bëhet financiarisht e fortë. Reforma duhet të adresojë njëkohësisht problemet e madhësisë, të burimeve dhe të kostos reale të shërbimeve; bashkimi mund të ulë disa kosto administrative, por nuk krijon automatikisht bazë të re tatimore. Sa i përket varësisë nga fondet qendrore, raporti jep tregues se Tirana ka varësi 22%, Vlora dhe Saranda 25%, Durrësi 39%, ndërsa bashkitë më të varura janë Hasi 1.053%, Pusteci 1.099% dhe Këlcyra 1.255%.

