Raporti i AKM për vitin 2025 njofton se rreth 16,000 ha u dogjën në fondin pyjor dhe kullosor, nga një total prej 34,000 ha të përfshira nga flakët. Viti 2025 renditet i dyti më problematik i dekadës pas 2017, duke shënuar pothuajse një dyfishim të sipërfaqeve të djegura krahasuar me periudhën 2021–2024. Vlera totale e dëmit në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar arrin në 7,186,335,000 lekë.
Gjatë sezonit u shkatërruan 128,597.8 m³ material drusor, prej të cilave vetëm 25,634 m³ kanë mbetur të përdorshme për shfrytëzim. Zjarret përhapën gjerësisht dhe goditën 47 bashki; dëmet më të mëdha u regjistruan në jug të vendit. Bashkitë me sipërfaqet më të mëdha të djegura janë: Delvinë 5,845 ha, Finiq 1,828 ha, Tepelenë 1,512 ha, Konispol 1,400 ha, Himarë 1,081 ha, Gramsh 982 ha dhe Berat 690 ha. Qarku i Vlorës dhe ai i Gjirokastrës kryesojnë në rang kombëtar me diferencë të ndjeshme nga qarqet e tjera.
Shkaqet kryesore që thekson raporti janë kombinimi i aktivitetit njerëzor me kushte klimatike ekstreme. Temperaturat shumë të larta, thatësira e zgjatur dhe erërat e forta favorizuan përhapjen e shpejtë të flakëve, veçanërisht në pyjet e pishave ku prania e halave dhe rrëshirës përkeqësoi situatën. Aktiviteti njerëzor identifikohet si faktor determinues përmes djegies së mbetjeve bujqësore pa masa sigurie, ndezjeve për hapjen e kullotave që dolën jashtë kontrollit, dhe hedhjes së cigareve të ndezura në natyrë, si dhe mungesës së ndërgjegjësimit qytetar.
Ndër shkaqet e tjera përmenden aksidentet teknike, si defektet në linjat elektrike që kalojnë mes pyjeve dhe shkëndijat nga mjetet motorike në terrene të thata. Gjithashtu raportohen zjarrvënie të qëllimshme, shpesh të lidhura me konflikte pronësie, pastrim të paligjshëm të tokës ose spekulime për zhvillim urban.
Pavarësisht evidentimit të këtyre faktorëve, institucioni raporton se shumica e rasteve, 150 zjarre, mbeten me shkaqe të panjohura; 20 raste janë klasifikuar si njerëzore të paqëllimshme dhe vetëm 3 si të qëllimshme.

