Kryeministri Edi Rama rifilloi thirrjen për dialog ndaj studentëve, duke theksuar gatishmërinë për t’u takuar me ta “në çdo vend, në çdo orë”. Ai përsëriti ofertën për bisedë me “atë që kërkon dhe beson në dialog”, duke nënvizuar se përmirësimi i Shqipërisë realizohet me njerëzillëk, shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh, edhe kur ato janë shumë të kundërta.
Rama veproi paralelisht me një paralajmërim të ashpër për individët që, sipas tij, kanë nxitur dhunën dhe kanë marrë pjesë në akte të paligjshme gjatë ngjarjeve në kryeqytet. Ai i cilësoi këto veprime si përpjekje për të “marrë peng kryeqytetin”, për të “eksportuar terrorin e ANTIFA-s” dhe për të instrumentalizuar studentët duke i vendosur në krye “përmes fytyrës së mbuluar”. Për këta aktorë, kryeministri deklaroi se do të ketë përgjegjësi ligjore dhe penale: “Do të përgjigjet ligjërisht, do të përgjigjet penalisht, do të përgjigjet sipas shkallës së shkeljes së bërë, sipas shkallës së keqkuptimit të madh.”
Ai e pat përshkruar sjelljen e atyre që kanë përdorur forcë si një “kundërshti të dhunshme” që bie ndesh me logjikën e dialogut dhe bashkëjetesës demokratike. Sipas Ramës, besimi se mund t’i imponohesh “një populli të tërë”, një komuniteti apo familjeve që duan të shkojnë në punë pa u frikësuar nga dhuna është “keqkuptim i madh” që do të kthehet në një mësim të rëndësishëm për ata që menduan se me këtë mund të ndryshohet rruga e Shqipërisë.
Në fund, kryeministri shprehu bindjen se rruga e vendit do të vazhdojë drejt objektivave të vendosura: Shqipëria, tha ai, do të ecë përpara dhe do të “çoj atje në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut”, duke u bërë pjesë e Bashkimit Europian, të cilin, sipas tij, nuk do ta pengojnë forcat e përfshira në atë që e quajti “zullum të madh”. Përtej paralajmërimeve, oferta për dialog mbetet e përsëritur dhe e hapur.

