Kryeministri Rama tha se investitorët i kanë shpjeguar se nuk kanë ardhur në Shqipëri “të importojnë barcaleta e filma për veten” por për të bërë investim për Shqipërinë, për ta dhe për Evropën. Ai theksoi nevojën që projekti të parashikojë një brez mbrojtës nga vija bregdetare e Lagunës, i cili do të përcaktohet pas përfundimit të studimit, duke shtuar se kjo distancë duhet të ruajë peizazhin natyror, cilësinë e habitatit dhe të garantojë proceset ekologjike të zonës.
Rama u shpreh se akuzat se po “shes Shqipërinë” janë të vjetra, “jo këto ditë”, dhe se janë bërë edhe përpara. Ai bëri të ditur se Këshilli Kombëtar i Territorit ka ngritur një grup pune për të siguruar kushtet dhe kriteret brenda zonës së mbrojtur. Sipas tij, leja e infrastrukturës, e dhënë në prill të këtij viti, ka qenë për realizimin e rrugëkalimeve të nevojshme dhe për vendosjen e pajisjeve të përkohshme që do të përdoren për studimin e ujit dhe biodiversitetit të Lagunës.
Kryeministri shpjegoi se rrugëkalimet ishin të nevojshme për pajisjet që do të kryenin studimin e Lagunës, dhe se për këtë arsye u dha leja, u bë rrethimi dhe makineritë punuan me gurë, gjë që sipas tij u interpretua pa kuptuar se çfarë po bëhej. Ai deklaroi gjithashtu se pasuritë e objekt zhvillimit janë pronë private, dhe se të gjitha janë nën pronësinë “Albania Land development”.
Në fjalën e tij, Rama paralajmëroi kundër nxitjes së urrejtjes: tha se është “çmenduri” të futet urrejtje ndaj hebrenjve duke shfrytëzuar fatkeqësinë e Gazës, dhe e lidh këtë me veprimet e disa që e quajnë veten myslimanë.

