Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetin social Facebook, duke mbrojtur “Paketën e Maleve” dhe duke theksuar rëndësinë e saj për zhvillimin ekonomik të zonave malore në Shqipëri. Ai ngriti pyetjen nëse pronarët e tokave në zonat malore, përfshirë ata me toka të trashëguara, nuk duhet të kenë mundësinë të gëzojnë pronën e tyre duke zhvilluar agroturizëm, ferma apo njësi agropërpunimi.
Rama renditi si problem thelbësor mungesën e certifikatave të pronësisë, e cila, sipas tij, ka rrjedhim të mospranimit të ligjit 7501. Kjo situatë, vijoi ai, ka penguar prej vitesh aksesin në leje ndërtimi, subvencione shtetërore, fonde të BE-së dhe kredi bankare për pronarët e tokave në zona malore. Në këtë kuadër Rama argumentoi se “Paketa e Maleve” synon të mbyllë këtë boshllëk ligjor dhe të hapë rrugën për investime, duke përfshirë edhe ato nga emigrantët shqiptarë që duan të kthejnë kursimet e tyre në zhvillim ekonomik në zonat malore.
Ai iu përgjigj gjithashtu kritikave që lidhen me ndikimin e pakos në zonat e mbrojtura, duke theksuar se zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës nuk janë të papajtueshme. Sipas tij, ekzistojnë kategori të ndryshme të zonave të mbrojtura, dhe modele europiane, si Austia, tregojnë se turizmi dhe natyra mund të bashkëjetojnë përmes një zhvillimi të kontrolluar dhe cilësor. Në këtë perspektiv Rama promovoi idenë e një zhvillimi i cili lejon shfrytëzimin ekonomik të zonave malore pa komprometuar vlerat natyrore, përmes praktikave të përzgjedhura dhe një modeli të qeverisjes që ruan cilësinë e mjedisit.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Kryeministri theksoi se Shqipëria duhet të ecë drejt një modeli zhvillimi ku natyra nuk izolohet nga ekonomia, por kthehet në një burim kryesor të rritjes ekonomike dhe turizmit të qëndrueshëm.

