Pas Bosnjë Hercegovinës, Tirana ishte ndalesa tjetër e turneut ballkanik të Presidentit të Këshillit të Europës, Antonio Costa. Kryeministri Edi Rama e përcolli si një vizitë të rëndësishme dhe e përshkroi mikun Antonio si një mbështetës të palodhur të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, i njohur dhe i vendosur, që tashmë viziton tashmë për herë të pestë. Takimi u zhvillua në prag të samitit të përbashkët ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tivat të Malit të Zi.
Rama tha se çdo takim me presidentin e KE-së përbën një mësim për shkak të eksperiencës së tij dhe njohjes së çështjeve europiane, botërore, ekonomike dhe sociale. Ai shprehu mirënjohje për angazhimin dhe mbështetjen e Costas, veçanërisht në lidhje me procesin që përfshin “mbylljen e fazës së çeljes së kapitujve” dhe “hapjen e fazës së mbylljes së kapitujve”, duke nënvizuar se kjo ndihmë ka ardhur në një periudhë kur vendet përballen me sfida të përbashkëta.
Kryeministri theksoi se puna kryesore mbetet përgjegjësi e vetë Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, jo për hir të Brukselit apo kryeqyteteve të tjera, por për përmirësimin e performancës së shtetit dhe konsolidimin e pavarësisë. Në këtë fazë, Rama vuri theksin te zbatimi i reformave të kryera dhe i ligjeve që pritet të hyjnë në fuqi sipas standardeve të BE-së, duke pranuar se procesi paraqet shumë sfida.
Presidenti i KE-së, sipas Ramës, sugjeroi rritjen e përpjekjeve për të informuar publikun e gjerë mbi sfidat që shoqërojnë çdo hap në procesin europian. Në bisedë u përmend dhe përvoja e Portugalisë para anëtarësimit, me referenca te fermerët dhe prodhuesit e verës. Rama raportoi dakordësi të plotë me Costan në çështjet thelbësore dhe në domosdoshmërinë për të vijuar me mbylljen e kapitujve me ritmin aktual, për të ndihmuar funksionimin e rajonit si një kolektiv bashkëpunues. Ai shtoi se procesi bëhet më i lehtë me mbështetjen e Komisionit Europian dhe përfundoi duke theksuar mungesën e ndonjë jodakordësie midis palëve.

