Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në edicionin e parë të “Future Hospitality Forum 2026” dhe foli për progresin e Shqipërisë në fushën e turizmit, duke theksuar nevojën urgjente për përmirësimin e cilësisë së këtij sektori. Ai nënvizoi se në pesë vitet e fundit numri vjetor i turistëve është rritur nga rreth 2 milionë në mbi 12 milionë, por paralajmëroi se rritja e shpejtë kërkon kalim nga fokusi te sasia drejt përmirësimit të standardeve.
Rama kujtoi se disa vite më parë situata ishte shumë e vështirë: nuk kishte asnjë hotel me pesë yje dhe nuk kishte perspektivë që një i tillë të hapet në të ardhmen e afërt. Sipas tij, përpjekjet për t’u afruar me standardet ndërkombëtare shpesh hasnin refuzim nga aktorët e industrisë, që argumentonin se vendi nuk i plotësonte kriteret për t’u konsideruar destinacion. Ai përshkroi Shqipërinë si një “pikë të zezë” në hartën e turizmit në Evropë dhe shpjegoi se shifrat e mëparshme për turistët shpesh ishin të fryra, pasi përfshinin edhe pasagjerët që hyjnë e dalin nga vendi.
Kryeministri vuri në dukje se, pavarësisht se tani shifrat kanë arritur mbi 12 milionë, kjo rritje sjell sfida të reja. Ai shtoi se rritja e vizitorëve me të ardhura mesatare dhe të ulëta ushtron presion të madh mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe mbi komunitetet lokale. Për këtë arsye, Rama theksoi se detyra e qeverisë dhe e sektorit është të krijojë kushte që të tërheqin “turizmin e ekselencës”, të cilësisë së lartë, duke mos u mbështetur vetëm në numrat.
Ai pranoi se nuk ka mekanizma për të parandaluar ardhjen e më shumë njerëzve, por theksoi domosdoshmërinë për të krijuar më shumë hapësira dhe kushte që turizmi i kualitetit të vijë dhe të shndërrohet në një forcë të veçantë për vendin, me qëllim ruajtjen e së ardhmes së turizmit dhe të komuniteteve vendase.
Top Channel

