Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për projektin që pritet të zhvillohet në Zvërnec, duke thënë se interesimi për të ka nisur që nga viti 2023. Ai e përshkroi rastin si “një kurth për të ardhmen e Shqipërisë” dhe përdori referenca artistike, duke përmendur një film që, sipas tij, ka shërbyer si metaforë për mënyrën se si mund të manipulohen perceptimet publike. Rama pretendoi se është ndërtuar një narrativë mediatike që fabrikon një konflikt midis Amerikës dhe Shqipërisë përmes teknikash “hollivudiane”, me pamje të rreme, fotografi dhe elemente simbolike si gardhe me tela me gjemba, këngë patriotike dhe heronj të sajuar, që kanë për qëllim të zhvendosin vëmendjen e publikut.
Ai shtoi se projekti ka kaluar nga një skenar filmik në realitet dhe se ndryshimet janë të mëdha në mënyrën e zhvillimit dhe pamjen e investimit. Rama tha se projektet kanë nisur si interesim investuesish në vitin 2023, përfshirë edhe lidhjet me Sazanin. Për Sazanin, ai theksoi se është tokë publike dhe se ka pasur përpjekje edhe nga qeveri të tjera për ta kthyer atë në destinacion turistik, por se toka nuk shitet; qeveria kërkon që shteti shqiptar të jetë ortak.
Duke iu referuar akuzave ndaj tij si “shitës” dhe “i korruptuar”, Rama deklaroi se në të kaluarën të korruptuarit jepnin Shqipërinë për 1 euro dhe merrnin pjesën e tyre, pa ia dhënë shtetit. Për Zvërnecin ai tha se duhet verifikuar pronat dhe pronarët, duke vënë në dukje se copëzat e tokës shtetërore në atë zonë janë të papërfillshme dhe se interesa të caktuara janë të njohura. Rama përmendi se projekti është promovuar nga figura si Jared Kushner dhe se ka pasur interesim mediatik me axhendë.
Ai deklaroi se investitorët kanë angazhuar ekspertizë ndërkombëtare në arkitekturë, inxhinieri dhe juridiksion, dhe se shteti ka mbrojtur interesin publik duke ndjekur procedura profesionale. Projekti i mëparshëm u rrëzua, pasi qeveria vendos standarde të larta. Rama tha se toka është e regjistruar prej vitesh në hipotekë, se negociatat me pronarët ku pritet të bëhen janë çështje private ku shteti nuk ka hyrë, dhe se rrethimi i pronës është bërë sipas lejes së zhvillimit, e cila i jep të drejtë pronarit për të rrethuar tokën.

