Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetin social X lidhur me debatin e ditëve të fundit për sistemin e pagave të magjistratëve, duke ftuar drejtuesit e institucioneve të drejtësisë të ulen në një tryezë të përbashkët pune për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për pagat, ndërkohë që ruhet ekuilibri i piramidës shtetërore të pagave. Në postim Rama nënvizoi se në këtë tryezë mund të ftohen edhe ekspertë të Këshillit të Europës dhe përfaqësues të Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Ai u shpreh se pret dhe beson që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor — nga drejtuesit e dy këshillave e deri te drejtuesit e institucioneve të tjera të gjyqësorit — do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku, pa humbur kohë, për të adresuar çështjen e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë. Qëllimi, sipas Ramës, është të garantohet përhershmëria e përfitimeve për magjistratët, duke mbajtur në të njëjtën kohë ekuilibrin e përgjithshëm të piramidës së pagave në shtet. Ai theksoi se tryeza do të mirëpresë pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës dhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Rama gjithashtu kujtoi se shkalla e lartë e pavarësisë dhe trajtimi me paga të larta, që magjistratët kanë pasur deri më tani në Republikën e Shqipërisë dhe relativisht në rajon, nuk janë rënë nga qielli, por mbajnë vulën e vullnetit të shumicës qeverisëse. Ai thekoi se qeveria nuk kërkon konflikt me gjyqësorin, por bashkëveprim institucional në respekt të pavarësisë së ndërsjellë. Në rast mosdakordësish, Rama kërkoi që çështjet të trajtohen me urtësi dhe durim, duke ofruar sipas tij një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët dhe partnerët e Shqipërisë. (Top Channel)

