Kryeministri Rama deklaroi se prioritet janë projektet për turizmin elitar për të pasurit, pasi sipas tij ato sjellin të ardhura për komunitetin dhe për arkën e shtetit. Ai tha se ekziston një projeksion profesional dhe i qartë për rritjen e numrit të pasagjerëve dekadën e ardhshme dhe për numrin e fluturimeve që do t’u përgjigjen këtyre pasagjerëve, çka kërkon zgjerimin e sistemit të aviacionit civil.
Rama nënvizoi se ka disa vonesa, të cilat nuk lidhen me shtetin, por me shkaqe të kompanisë në aeroportin e Vlorës. Sipas tij, ministria e Infrastrukturës ka ndërmarrë hapat e duhur dhe objektivi mbetet i palëvizshëm: aeroporti i Vlorës do të hapet patjetër dhe nuk do të lejohet të bëhet pre e mosmarrëveshjeve brenda kompanisë. Ai tha se janë në përgatitjet e fundit për të hapur garën për aeroportin e Gjirokastrës, i cili do të jetë turistik dhe sezonal, dhe se nuk ka arsye të heqin dorë nga projekti i Kukësit.
Kryeministri theksoi gjithashtu se marrëveshjet me linjat ajrore zhvillohen në nivel të interesit të kompanive dhe të aeroportit dhe janë marrëveshje private. Ai përmendi se fillimisht vetëm 6.5% e popullsisë shqiptare kishin akses në aviacion, ndërsa sot mbi 40% e shqiptarëve përdorin avionin. Ky ndryshim, sipas tij, është rezultat i hapjes së konkurrencës pas koncesionit të trashëguar që kishte qenë i shtrenjtë.
Përfaqësuesit e kompanisë, deklaroi Rama, janë mirëpritur sepse vijnë për të fituar para, por ai shtoi se nuk do t’i falënderonte. Sipas tij, ata nuk kanë bërë sakrifica, erdhën vonë dhe duhet të kishin ardhur më parë, megjithatë janë përpara atyre që do vinin më pas. Në përfundim, ai përsëriti vendosmërinë për të rritur numrin e turistëve dhe për të rritur të ardhurat në arkën e shtetit.

