Kryeministri Edi Rama ishte i pari që mori fjalën në festën kombëtare të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, e zhvilluar përpara stadiumit kombëtar, ku renditi arritjet dhe ligjet e miratuara për mbrojtjen e natyrës dhe çështje të tjera. Ai tha se e ka mësuar të vendoset në vendin e të tjerëve, veçanërisht të atyre që pasionohen për mbrojtjen e zogjve dhe një Shqipëri të paprekur, dhe theksoi se ndaj mjedisit ai ka pasur qëndrime të njëjta si protestuesit, duke u përballur me vendimet e njerëzve me pushtet.
Rama kujtoi punën si kryetar bashkie, kur, siç tha, la pas 55 mijë pemë dhe shkurre dekorative të mbjella, proces që përfshiu shembjen e kioskave, ndërtesave dhe gërmadhave të paligjshme. Ai përmendi vendimin për ndalimin e importit të plehrave, moratoriumet e pyjeve dhe të gjuetisë, si dhe regjistrimin në kadastër të 1.3 milionë metrave pyje. Sipas tij, këto masa kanë kontribuar në shumëfishimin e popullsisë së kafshëve dhe shpendëve.
Rama deklaroi se qeveria e Partisë Socialiste miratoi ligjin e parë me standarde europiane për zonat e mbrojtura gjatë mandatit të parë, dhe se aktualisht një e katërta e territorit të Shqipërisë është e mbrojtur. Ai theksoi se Shqipëria ka rrjetin më të zhvilluar të mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor, vlerësim që sipas tij vjen edhe nga organizatat ndërkombëtare.
Kryeministri tha se qeveria ka bllokuar dhënien e dyzinave lejesh në lumenj, ka ndaluar ndërtimin e nëntë hidrocentraleve dhe ka anuluar 40 kontrata hidrocentralesh. Ai veçoi rastin e Vjosës, të cilën sipas tij e shpëtuan dhe për të cilën vazhdojnë betejën kundër një personi që e cilësoi si “kriminel”, të cilit i atribuoi marrjen e 11 milionë eurove nga Shqipëria dhe ballafaqimin me drejtësinë belge pas fakteve të paraqitura nga qeveria në gjykatë.
Rama përsëriti se Partia Socialiste ka misionin të çojë Shqipërinë drejt BE-së, se nuk është për shitje dhe se për të Shqipëria është “amanet i shenjtë” në mendje dhe zemër.

