Qindra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Pragës për të protestuar kundër projektligjit të propozuar nga qeveria e kryeministrit Andrej Babis, i cili ndryshon mënyrën e financimit të medias publike. Organizatorët raportuan pjesëmarrje midis 350 mijë dhe 450 mijë personash. Nisma parashikon heqjen e tarifës së transmetimit dhe financimin e televizionit dhe radios publike drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, duke synuar një ristrukturim që do të përfshijë një shkurtim të fondeve rreth 15 për qind.
Kundërshtarët paralajmërojnë se ndryshimi mund të kërcënojë pavarësinë editoriale të transmetuesve publikë dhe të çojë në shkurtime të programeve dhe vendeve të punës. Kundër projektligjit kanë dalë opozita, organizatat e shoqërisë civile dhe punonjësit e medias; punonjësit zhvilluan edhe një grevë në fillim të nëntorit si pjesë të kundërshtimit. Organizatorët e protestës kërkojnë tërheqjen e nismës dhe garantimin e pavarësisë së medias publike.
Në tubim u dëgjuan edhe thirrje e arsyetime personale nga pjesëmarrësit. Jan Snasel tha: “Ne duhet ta ruajmë pavarësinë e medias. Qeveria po ndërmerr hapa për ta vënë atë nën kontroll, për t’i shkurtuar financimin dhe për të ndikuar në përmbajtjen që transmeton. Ne këtë gjë, nuk e duam. Ajo që duam janë media të pavarura, të cilat të shërbejnë si kundërpeshë ndaj çdo qeverie që do të kemi në të ardhmen.” Lucie Fajfrova shprehu mbështetjen për median e lirë dhe për çështje të tjera shoqërore: “Kam ardhur për të mbështetur median e lirë, Televizionin Çek dhe Radion Çeke, por edhe kulturën dhe mbrojtjen e mjedisit. Ka shumë çështje që na shqetësojnë… Shpresoj që ky grumbullim qytetar, përmes energjisë së tij, të arrijë të sjellë ndryshim.”
Qeveria çeke argumenton se reforma do ta bëjë sistemin më efikas dhe do të eliminojë një tarifë që e konsideron të padrejtë. Megjithëse protesta është masive, koalicioni qeverisës disponon shumicën parlamentare që të vazhdojë me miratimin e projektligjit. Mobilizimi i madh publik po ushtron presion politik ndaj ekzekutivit, ndërsa debati rreth mënyrës së financimit dhe pavarësisë së medias publike vazhdon.
