Këshilli i Ministrave miratoi më 16 shtator projektligjin “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, me qëllim garantimin e sigurisë së furnizimit me naftë dhe nënprodukte në Republikën e Shqipërisë. Projektligji parashikon krijimin gradual të rezervave, me objektiv që Shqipëria të arrijë së paku 90 ditë të importeve neto ose 61 ditë të konsumit të brendshëm, duke marrë si referencë sasinë më të madhe ndërmjet tyre.
Për administrimin e rezervave do të themelohet një strukturë publike e re, Autoriteti për Rezervën e Sigurisë së Naftës, person juridik publik jo-fitimprurës në varësi të ministrit përgjegjës për energjinë. Autoriteti do të ketë përgjegjësi për krijimin, blerjen, shitjen, depozitimin dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë. Rezervat mund të depozitohen ose drejtpërdrejt nga Autoriteti, ose nga operatorë ekonomikë, sipas marrëveshjeve kontraktore; por ato duhet të jenë fizikisht të disponueshme, të aksesueshme dhe të kontrollueshme, dhe nuk mund të përdoren si garanci, peng ose të jenë të kufizuara në mënyrë që të pengohet përdorimi i tyre në rast emergjence.
Projektligji parashikon vendosjen e një tarife për krijimin dhe mbajtjen e rezervës së sigurisë, e aplikuar mbi produktet energjetike hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës, përfshirë karburantin e aviacionit. Megjithatë, drafti nuk përcakton një shifër konkrete të kësaj tarife në lekë për litër ose kilogram; vlera do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të energjisë dhe ministrit të financave, në bazë të nevojave për financimin e rezervave.
Në rast ndërprerjeje të furnizimit me nënprodukte të naftës ose rritjeje të ndjeshme të çmimeve në tregun ndërkombëtar, Këshilli i Ministrave mund të vendosë për përdorimin e rezervave të sigurisë, në përputhje me Planin Kombëtar të Reagimit. Ky plan do të përcaktojë arsyet e përdorimit, afatet e lëvrimit dhe furnizimit të tregut, llojet dhe sasinë e produkteve që do të përdoren, si dhe mënyrën e zëvendësimit të rezervave pas përdorimit.
Projektligji parashikon masa administrative ndaj operatorëve që shkelin rregullat, me gjoba nga 2 milionë deri në 10 milionë lekë, dhe në rast përsëritjeje mund të vendoset ndalim i përkohshëm i aktivitetit për qëllime të rezervës së sigurisë. Burimi: Top Channel.

