Qeveria miratoi projektligjin për krijimin e Këshillit Fiskal, një institucion i pavarur që do të kontrollojë nga jashtë mënyrën e hartimit dhe zbatimit të politikave fiskale dhe buxhetit të shtetit. Këshilli nuk do të vendosë për taksat, shpenzimet apo përbërjen e buxhetit; detyra e tij është të analizojë dhe vlerësojë qëndrueshmërinë e financave publike dhe respektimin e rregullave fiskale.
Këshilli do të ketë të drejtën të kërkojë informacion nga institucionet publike dhe do të publikojë analiza, opinionet dhe raportet e tij. Ai i nënshtrohet një vlerësimi të jashtëm të pavarësisë dhe efektivitetit të paktën një herë në gjashtë vjet. Në fokus do të jenë projektbuxheti vjetor, parashikimet makroekonomike dhe ndryshimet që mund t’i bëhen buxhetit gjatë vitit. Nëse Këshilli ngre vërejtje për projektbuxhetin apo kuadrin fiskal, Ministria e Financave duhet të japë një relacion shpjegues.
Struktura e Këshillit parashikon vetëm tre anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi me shumicën e më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve. Mandati i anëtarëve do të jetë gjashtë vjet, ndërsa përbërja e parë do të ketë mandate të ndryshme për të garantuar rotacionin. Kandidatët duhet të kenë të paktën 10 vjet eksperiencë në financa publike, makroekonomi ose kërkim shkencor dhe nuk duhet të kenë ushtruar funksione politike ose të kenë qenë pjesë e administratës publike në dy vitet para emërimit.
Institucioni do të ketë sekretariat teknik dhe financim nga buxheti i shtetit, si dhe të drejtën për të kërkuar informacion nga institucionet publike. Që para se shifrat e buxhetit të kthehen në vendime, ato do të kalojnë në këtë filtër të pavarur.
Kostoja totale e ngritjes dhe funksionimit të Këshillit Fiskal është llogaritur në rreth 39 milionë lekë: 32 milionë lekë për pagat e tre anëtarëve dhe pesë punonjësve të Sekretariatit Teknik, 5 milionë lekë për shpenzime operative dhe 2 milionë lekë për shpenzime kapitale fillestare.

