Këngëtari amerikan Chris Brown u shpall përgjegjës për një sulm nga qeni në pronën e tij në Tarzana, Kaliforni, dhe një juri në Los Angeles e urdhëroi të paguajë 12.9 milionë dollarë dëmshpërblim pastrueses së shtëpisë, Maria Avila, e cila u plagos rëndë gjatë incidentit të vitit 2020. Vendimi erdhi pas një gjyqi dyjavor ku juria konstatoi se Brown dhe kompania e tij, Black Pyramid LLC, kishin vepruar me neglizhencë.
Avila u sulmua nga një qeni bari kaukazian 90 kilogramësh, i quajtur Hades, teksa po nxirrte mbeturinat nga shtëpia e këngëtarit. Ajo deklaroi se sulmi i shkaktoi plagë të rënda, me shqyerje të pjesëve të mëdha të lëkurës dhe shpërfytyrim të përhershëm të fytyrës, humbje të pjesshme të shikimit, dëmtime nervore dhe kufizime në lëvizjen e krahut të majtë. Avila tha se për shkak të pasojave fizike dhe stresit post-traumatizues nuk ka mundur të rikthehet në punë.
Gjatë procesit, juria dëgjoi se Brown kishte lënë vendin e ngjarjes pa telefonuar shërbimet e emergjencës, duke i lënë punonjësit e tij të kujdesen për të plagosurën. Këngëtari tha se veproi sipas këshillës së menaxherit, pasi kishte frikë se prania e tij do të shkaktonte vëmendje të madhe mediatike. Ai pranoi një pjesë të përgjegjësisë, por kundërshtoi shkallën e dëmtimeve dhe pretendoi se Avila mbante një pjesë të fajit.
Brown tha se kishte paralajmëruar Avilën dhe motrën e saj, Patricia, që të mos dilnin jashtë pa praninë e rojeve të sigurisë sepse qentë nuk ishin miqësorë; dy gratë mohuan këtë pretendim. Këngëtari gjithashtu sqaroi se qeni ishte blerë për arsye sigurie dhe mbahej nga rojet për të mbrojtur pronën, duke përmendur raste përndjekjeje që, sipas tij, kishte përjetuar.
Përveç shumës së akorduar për Maria Avilën, juria vendosi edhe 885,000 dollarë dëmshpërblim për motrën e saj, Patricia, dhe 50,000 dollarë për bashkëshortin e Avilës, Oscar Olivo.

